Së pari kurora me lule, e depozituar nga Tommaso Starace jashtë “San Paolo”, ose më mirë tashmë stadiumit “Maradona”, pastaj dy perlat kundër Romës dhe Crotone.
Por, homazhet e vazhdueshme të Lorenzo Insigne për “Pibe de Oro” nuk u ndalën këtu. Kapiteni i Napolit ka bërë tatuazh fytyrën e legjendës argjentinase në kofshën e majtë; një mënyrë piktoreske dhe e jashtëzakonshme për të përjetësuar një kampion, i cili bëri të lumtur një popull të tërë, atë blu, duke ndryshuar historinë e tyre.
Videoja u postua në Instagram nga Valentino Russo, artist tatuazhesh i Insigne dhe shumë futbollistëve të tjerë: “Tatuazh për kapitenin më të mirë në botë”.
Diego është me fanellën blu, duke bërtitur dhe brohoritur pas një prej shumë golave të shënuar me ekipin napolitan. Tatuazhi filloi të qarkullojë në rrjetet sociale, duke ngrohur shpirtin e shumë fansave. “E bukur”, “Pa fjalë”, “Të lë pa frymë”, “bombastik” ishin disa nga perifrazimet e tifozëve napolitanë.
“Ai ishte lojtari më i mirë i të gjitha kohërave, – deklaroi Insigne me emocion për Maradonën. – Tërheqja e numrit 10 do të ishte një vendim i duhur. Ai gjithnjë na ka mbrojtur, e mbajti Napolin dhe napolitanët në zemrën e tij”.