Mesfushori shqiptar, Valon Berisha e ka mbyllur sezonin përpara kohe, ka njoftuar klubi i tij Reimsi të premten në faqen zyrtare.
Në njoftimin e klubit bëhet e ditur se Berisha tashmë i është nënshtruar operimit të gjurit dhe do të duhet të pushojë për tetë javë.
Klubi francez ka shtuar se Berisha do të jetë i gatshëm para fillimit të sezonit të ardhshëm.
Mesfushori i Kosovës, këtë sezon ka shënuar një gol dhe ka bërë tri asistime në 27 paraqitje për Reimsin në të gjitha garat.
Ai ka kontratë me klubin nga Ligue 1 deri në vitin 2024.