Mbrojtësi shqiptar, Albert Vallçi, ka qenë bashkëlojtar me sulmuesin Erling Haaland. Haalandi u transferua te Dortmundi dhe ka kaluar formë të jashtëzakonshme, derisa Vallçi që po kalon po ashtu formë të mirë, është ende te Salzburgu.

Në një intervistë për mediumin DAB të Austrisë, Vallçi ka folur për kohën sa kanë luajtur bashkë. Që të dy u transferuan te Salzburgu në janar të vitit 2019-të.

“U transferuam në skuadër në të njëjtin dimër dhe gjërat nuk shkonin mirë për të, siç shkonin për mua, mund të them. Kemi parë talentin e tij, por nuk e kemi parë të shpërthente në këtë mënyrë”, theksoi Vallçi. Në formën fizike, Haaland mori tjetër hap të madh në Salzburg.

“Ai në të vërtetë i kishte të gjitha. Por, fizikisht nuk ishte edhe aq i mirë dhe i avancuar siç është tani. Prej momentit kur kemi qenë bashkë, zhvillimi i tij ka qenë i jashtëzakonshëm. Në fillim, nuk e kam pritur një gjë të tillë”, nënvizoi Vallçi 25-vjeçar.

Vallçi që mund të luajë si qendërmbrojtës dhe mbrojtës i krahut të djathtë, sivjet ka zhvilluar 26 ndeshje dhe ka dy gola të shënuar e 5 asistime.

Qendërsulmuesi i Dortmundit, Haaland, ka 33 gola të shënuar në po aq ndeshje, ndërsa ka kontribuuar edhe me 9 asistime.