Sulmuesi Kylian Mbappe ka paralajmëruar drejtuesit e Paris Saint-Germainit se do të largohet nga klubi në fund të këtij sezoni, nëse nuk i plotësohen disa kushte shtesë, kanë njoftuar të hënën mediumet franceze.

Mbappe muaj më parë e rinovoi kontratën me Parisin deri në vitin 2025, pavarësisht ofertës së majme që e kishte te Real Madridi. Megjithatë, pas kthimit nga Kupa e Botës “Katari 2022”, Mbappe ka vënë kushte tjera për ekipin e tij.

Mësohet se ai aspak nuk është i kënaqur me situatën aktuale në klub dhe ka kërkuar nga drejtuesit që t’i plotësohen tri kushte, të cilat personalisht i ka kërkuar. Në të kundërtën, Mbappe iu ka bërë me dije se do të largohet në fund të këtij sezoni.

Kushti i parë që Mbappe ka kërkuar është shitja e Neymarit në verë, pasi nuk ka raporte të mira me sulmuesin brazilian. Kushti i dytë është largimi i trajnerit Christoph Galtier, të cilin ka kërkuar ta zëvendësojnë me Zinedine Zidanen, ndërsa si kusht të tretë e ka vënë transferimin e sulmuesit të Tottenhamit, Harry Kane.