Prishtina është kualifikuar në gjysmëfinalen e Kupës së Kosovës në futboll, pasi sot mundi Trepçën ‘89, me rezultat 5-1, ndeshje kjo e luajtur në “Sami Kelmedi” në Lipjan.

Kryeqytetasit janë treguar ekip më i mirë se mitrovicasit duke e dominuar lojën dhe në bazë të lojës së shfaqur, bardhekaltrit më meritë kalojnë në gjysmëfinalen e kësaj gare joshëse në vendin tonë.

Kryeziu (8’), Muja (25’), Pefqeli (40’. Pen), Hyseni (44’) dhe Jashari (82’), shënuan për fitoren e Prishtinës, derisa Fazliu (72’), realizoi golin e nderit për mysafirët.

“Fitorja na ka hyrë shumë në punë. Kërkuam që sa më shpejtë të shënojmë në mënyrë që të kenë mundësi të pushojnë disa lojtarë. Në pjesën e dytë qarkulluam topin dhe jam i kënaqur me fitoren dhe golat që shënuam. Është mirë që kemi lojtar të rinj. Nuk ka rëndësi mosha e tyre, por secili lojtar që fiton minuta, duhet ta jap maksimumin. Jam i lumtur për golin e Igball Jasharit. Ai shënoi shpejt dhe më tregoi se dëshiron të ketë më shumë minuta në fushë”, ka thënë Egbo.

Ndërkaq, ndeshja e dytë mes Dukagjinit dhe Dritës, është mbyllur pa gola në kohën e rregullt, dhe tashmë po luhet loja shtesë.