Harry Kane vazhdon të thyejë rekorde me Bayern Munich në Bundesligë. Pasditen e së shtunës (9 mars), sulmuesi anglez shënoi një “hat-trick” ndaj Mainz në suksesin e jashtëzakonshëm 8-1 të skuadrës së Tuchel.

Një moment që e projekton ish-lojtarin e Tottenhamit në kuotën e 30 golave në 25 ndeshje të luajtura. Një paraqitje mahnitëse për anglezin, i cili arriti dhe kapërceu rekordin historik pas 30 vitesh.

Në sezonin 2023-2024, Harry Kane ka shënuar të paktën dy gola në një ndeshje për gjithsej tetë ndeshje të ndryshme. Asnjë lojtar tjetër nuk ka arritur shifra të ngjashme në sezonin e tij të parë në Bundesligë.

Rekordi i mëparshëm i përkiste Uwe Seeler (Hamburg) dhe Friedhelm Konietzka (Borussia Dortmund), të cilët u ndalën në 7 ndeshje të ndryshme me dy gola në secilën prej tyre, në sezonin 1963-1964.

Rekordit iu bashkua më pas më 1993-1994 Toni Polster, i veshur me fanellën e Këlnit. I vetmi fakt objektiv është se Harry Kane do të fitojë titullin e golashënuesit më të mirë në Bundesligë dhe sipas të gjitha gjasave edhe “Këpucën e Artë”.

Me 30 gola në “llogarinë” e tij dhe një mesatare prej mbi një goli për ndeshje, anglezi nuk ka rivalë në Gjermani, aq shumë sa që ndjekësi i tij më i afërt, Serhou Guirassy i Shtutgartit (21 gola), është 9 gola larg.