Përballjet mes Rumanisë dhe Kosovës kanë sjellë një sërë incidentesh. UEFA ka marrë të gjitha masat për ta monitoruar me kujdes se çfarë do të ndodhë në Bukuresht të premten mbrëma kur Rumania dhe Kosova të përballen në Ligën e Kombeve.
Sajti rumun “Pro Sport” të mërkurën ka raportuar se në stadium do të jetë një oficer special i sigurisë në “Arenën Kombëtare”. “Kështu ndodh në rastet e ndeshjeve me rrezikshmëri të lartë”, shkruan sipas burimeve “Pro Sport”.
Portali rumun ka raportuar se Kosova do të ketë tifozë në Bukuresht, dhe mund të ketë vështirësi për të mbajtur gjërat nën kontroll. “Po ashtu, nga UEFA presin të mos ketë ndërprerje të ndeshjes, siç ndodhi gjatë ndeshjes së kaluar që Kosova e kishte në Bukuresht, në kualifikimet e Evropianit në Gjermani”, shkruan tutje portali rumun.
Vitin e kaluar në Bukuresht ndeshja u ndërpre për 50 minuta, pasi tifozët rumunë shfaqën panon “Kosova është Serbi” dhe bënë thirrje të kësaj natyre. Lojtarët e Kosovës reaguan dhe ndeshja u ndërpre deri në heqjen e panos provokuese.