Reprezentuesi i Kosovës, Astrit Selmani, është golashënuesi më i mirë i kampionatit të Rumanisë. Ai së fundi shënoi të dielën, ndërsa ia siguroi fitoren 1:0 Dinamo Bukureshtit ndaj Petrolulit.
Selmani, që ka pesë paraqitje e një gol, do t’i mungojë Dinamos të shtunën për shkak të kartonëve. Selmani deri më tani ka tetë gola e katër asistime në 16 paraqitje.
Në një intervistë për sajtin rumun GSP, Selmani ka thënë se ndaj Petrolulit është dashur t’i shënojë edhe dy apo tre gola. Ai synon të jetë golashënuesi më i mirë i kampionatit rumun.
Selmani është pyetur nëse mund t’i shënojë 20 gola.
“Çdo gjë është e mundur. Nëse çdo herë kam rreth vetes lojtarë që pasojnë si në ndeshjen e kaluar, është e mundur. Është edicion i gjatë, shpresoj se do të vazhdojmë me fitore. Ekipet po mbrohen më mirë ndaj meje, po bëjnë më shumë presion, por kam bashkëlojtarë me përvojë”, ka thënë Selmani për “gsp.ro”.
Ai është te Dinamo prej fillimit të vitit. Në pranverë nuk shfaqi shumë, pasi edhe skuadra ishte në moment të keq. Ndryshe është këtë edicion.
Selmani mungoi në ndeshjen e 15 nëntorit ndaj Rumanisë.
“Futbolli duhet të luhet në fushë, mendoj se të gjithë pajtohemi. Ndoshta nuk ishte vendimi më i mençur për të braktisur fushën në fund të ndeshjes, pasi kemi luftuar për pikë. Nëse dëshiron të dënosh Rumaninë, duhet të marrësh pikë prej saj. Asaj i duhej fitorja. Kështu i kemi dhënë ‘xhoker’ në ndeshje, tri pikë. Është keq, ka tifozë që bëjnë thirrje që i bëjnë, por …”.
Përgjigjja e tij është ndërprerë nga pyetja nëse ka pasur probleme në Rumani.
“Mua më pëlqen jeta në Rumani. Vajza ime e vogël flet rumanisht më mirë se unë, ndonëse është e vogël. Ajo shkon në kopsht dhe luan me shoqe. Duhet të mësojmë nga fëmijët. Ata nuk brengosen se prej nga je”, ka thënë Selmani.
Sulmuesi ka treguar se incidenti në ndeshjen Rumani – Kosovë nuk ka ndikuar në gjendjen e tij te Dinamo.
“Unë luaj futboll, e dua Rumaninë, Bukureshtin. Secili që më njeh e di që shkoj në vende jashtë Bukureshtit për të mësuar historinë e Rumanisë, është me rëndësi për mua. E kam dërguar vajzën në kopsht në Rumani, nuk është problem për mua. Është temë e ndjeshme, jam në pozitë të vështirë. Luaj në Rumani, por po ashtu për Kosovën. Duhet të jem i kujdesshëm se çka them. Mundohem të bëhem personi që jam, të kem respekt. Nuk brengosem se prej nga je, të gjithë kemi prejardhje të ndryshme. Prindërit e mi janë shqiptarë, unë jam i lindur në Suedi. Gruaja ime është turke dhe ka origjinën nga Maqedonia. Familja ime është nga çdo vend. Është pjesë e lojës, duhet ta kuptojmë”, ka thënë futbollisti i klubit të famshëm nga Bukureshti.
Ai është pyetur nëse do të ketë probleme mes dy vendeve.
“Rumania merr shumë lojtarë nga Kosova, nuk mendoj se është problem. Nëse flet me ata që ishin këtu, të gjithë kanë fjalë të mira për Rumaninë. Unë për Bukureshtin kam vetëm fjalë të mira. Varet kë e pyet dhe çfarë përgjigje merr. Jo të gjithë njerëzit janë të këqij. Nuk mendoj se raportet do të jenë të këqija. Ekipet rumune kanë skautuar në Kosovë për kohë të gjatë. E përcjell futbollin atje dhe e di këtë. Ky është tregu”, ka thënë Selmani.
Ai shpreson që mos të ketë incidente të tjera në ndeshjet mes Kosovës e Rumanisë.
“Futbolli duhet të jetë në fushë dhe të përfundojë aty”, thotë golashënuesi më i mirë i kampionatit rumun.