Derbi i fundit i Merseyside në Ligës Premier mes Evertonit dhe Liverpoolit që do të zhvillohej sot (e shtunë) në Goodison Park nga ora 13:30 është shtyrë zyrtarisht disa orë para fillimit.

Ndeshja është shtyrë për shkak të frikës së sigurisë që rrethon stuhinë Darragh, e cila pritet të shkaktojë ndërprerje të madhe në orarin sportiv të Mbretërisë së Bashkuar ditën e sotme (e shtunë).

Met Office ka paralajmëruar se erërat me shpejtësi prej 144 km/h ose më shumë mund të godasin Mbretërinë e Bashkuar, e cila është klasifikuar si mot potencialisht kërcënues për jetën.

Sipas mediumit The Athletic, vendimi për shtyrjen e ndeshjes është marrë nga autoritetet dhe jo nga dy klubet e përfshira.

Ekipi vendas, Evertoni konfirmoi se ndeshja është shtyrë me një deklaratë zyrtare në rrjetet sociale.

“Derbi i sotëm i Merseyside në Goodison Park është shtyrë për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike”, thuhet në deklaratë.