Boksieri ukrainas, Oleksandr Usyk, ka konfirmuar se planifikon kthim sensacional në kategorinë kruzer, nëse e mposht Tyson Furyn në rimeçin e kësaj jave.

Usyk e mposhti yllin britanik në muajin maj, për t’u bërë kampion i padiskutueshëm i botës në kategorinë e rëndë të boksit profesionist.

Këtë sukses Usyku e kishte arritur edhe në kategorinë kruzer. Kështu ukrainasi është dy herë kampion i padiskutueshëm i botës në dy kategori të ndryshme.

Ukrainasi ka hequr dorë nga titulli në versionin IBF për të zhvilluar të shtunën rimeçin me Furyn. Lufta për titujt e botës në versionet IBO, WBC dhe WBO dhe WBA zhvillohet në “Kingdom Arena” në Riad të Arabisë Saudite. Në këtë arenë ishte zhvilluar edhe dueli i 24 majit, që përfundoi me fitoren e Usykut.

Nëse fiton të shtunën, Usyk synon të bëhet për herë të tretë kampion i padiskutueshëm në boksin profesionist. Por synimin e ri e ka për kategorinë kruzer.

“E fitoj edhe luftën e dytë. Unë do të provoj më pas kategorinë kruzer. Do të provoj atë”, ka thënë Usyk për “Sky Sports News”.

Ai është shumë i sigurt se do të vazhdojë ku e la në luftën e parë me Furyn dhe do ta fitojë revanshin.

“Ndihem mirë. Jam gati”, ka thënë ukrainasi i fuqishëm.

Ai e kishte lënduar keq Furyn në raundin e nëntë të luftës së parë. 

“Tyson Fury gjithashtu pati një shans në raundin e gjashtë, ndoshta në raundin e shtatë, ndoshta 12, 11. Por Tyson nuk e bëri këtë. Ai tha se pati rastin. Po, nuk është problem. Kemi një luftë të dytë, do të përpiqem”.

Fury shpreson të revanshohet për humbjen e parë në karrierën profesionale, kur të ndeshet me Usykun të shtunën. Më pas do të organizohej meçi i tretë mes dy yjeve të kategorisë së rëndë.

“Unë dua luftën e tretë. Dua trilogjinë”, tha Fury.
“Kur ta mposhti më 21 dhjetor, do të ketë luftë të tretë, 100 për qind. Duhet të ketë trilogji”.
“Mezi pres”, ka vazhduar Tyson Fury. “21 dhjetori është koha ime. Brezat e kampionit do të kthehen në shtëpi dhe do të ketë luftë të tretë. Një luftë e tretë epike në vitin 2025”.

Në një bashkëbisedim ku ishin të përfshirë të dy, Usyku iu përgjigj Furyt.
“Jo. Do të humbësh sërish”.

37-vjeçari Usyk ka 22 fitore në karrierë. 14 prej tyre i ka me ndërprerje. Nuk ka humbur ende në boksin profesionist. Ka mposhtur edhe Anthony Joshuan dy herë e po ashtu emra tjerë të mëdhenj të boksit. 36-vjeçari Fury ka 34 fitore, një humbje e një barazim. 24 prej fitoreve i ka me ndërprerje.

Ka kohë që pritet për një përballje të Furyt me Anthony Joshuan, yllin tjetër të kategorisë së rëndë. Por aktualisht kryesori i kategorisë është Usyku.