Besëlidhja ka fituar në ndeshjen e xhiros së parë të Ligës Unike ndaj Bashkimit.
Skuadra e elitës së basketbollit të Shqipërisë fitoi me rezultatin 81:77 ndaj prizrenasve.
Ndeshja u zhvillua të mërkurën në palestrën “Asllan Rusi”.
Bashkimi e fitoi çerekun e parë 20:19, por dallimin në rezultat vendësit e bënë në periudhën e dytë që e fituan 29:15, për të shkuar në pushimin e gjatë me epërsinë e 13 pikëve.
Çereku i tretë ishte i barabartë 19:19, ndërsa në dhjetë minutat e fundit, Bashkimi fitoi 23:14, por nuk ishte mjaftueshëm për ta shmangur disfatën.
Marcellus Laventis Tiger Garrick ishte më i miri te vendësit me 23 pikë, katër kërcime e tri asistime, kurse Lejson Zeqiri i pati statistikat më të mira te Bashkimi me 26 pikë, shtatë kërcime e një asistim.
Në këtë edicion të Ligës Unike po garojnë katër skuadra nga Kosova e katër nga Shqipëria, por mungojnë kampionia në fuqi Trepça dhe skuadra tjetër e madhe kosovare, Peja.
Edicionin e parë të Ligës Unike 2020/2021, që ishte në formë turneu, e kishte fituar Ylli, ndërsa të dytin Peja.
Edicioni 2022/203 nuk u zhvillua, ndërsa turneun e edicionit 2023/2024 e kishte fituar Trepça.
Në këtë edicion janë formuar Grupi A ku janë Besëlidhja, Vëllaznimi, Bashkimi dhe Teuta dhe Grupi B që përbëhet nga Tirana, Sigal Prishtina, Golden Eagle Ylli dhe Vllazni.
Dy të parët e secilit grup kualifikohen në “Final Four” të Ligës Unike.
Te basketbollistet janë gjashtë skuadra, tri nga Kosova e tri nga Shqipëria.