Ish-futbollisti i Kosovës, Benjamin Kololli, ka ndërruar skuadër.

32-vjeçari është transferuar nga Baseli te skuadra tjetër e Superligës zvicerane, Sion.
Lojtari i krahut të majtë ka firmosur deri në qershor të vitit 2026 me ish-skuadrën. Kololli luajti pak për Baselin dhe për këtë arsye ka vendosur të transferohet te një skuadër ku pritet të ketë hapësirë më të madhe.

Kololli ishte transferuar te Baseli një vit më parë. Me Baselin i kishte 21 paraqitje në Superligë dhe në Kupën e Zvicrës, ndërsa shënoi tri gola dhe bëri një asistim.

Ai ishte zhvilluar te Sioni, me të cilën skuadër debutoi në Superligën helvetike në edicionin 2012/13. Më pas luajti për skuadra si Le Mont, Biel-Bienne, Young Boys, Lausanne, Zurich. Nga vera e vitit 2021 deri në fund të vitit 2023 ishte në Japoni te skuadra Shimizu S-Pulse.

Për Kosovën, Kololli ka luajtur 24 ndeshje dhe ka realizuar katër gola. Së fundi është ftuar në qershor të vitit 2022.

“Është nder për mua të kthehem në klubin ku kam filluar, FC Sion. Më pëlqen projekti i klubit që po zbatohet për një kohë. Mezi pres që të ofrojë kualitetet e mia të futbollit, përvojën time dhe gjithë qenien time për këtë grup”, ka thënë Kololli.

Ai luajti së fundi për Baselin më 15 shtator, ndërsa prej atëherë është grumbulluar vetëm në dy ndeshje.

Baseli është i dyti në Superligën e Zvicrës me 30 pikë, një më pak se Lugano. Sioni është i shtati me 26 pikë.