Fundjava e garave të skijimit ishte plot me rrëzime të rrezikshme. Në Bormio të Italisë ishin disa lëndime të rënda.
Të premten, ylli francez i skijimit, Cyprien Sarrazin ishte i pari që kishte aksident. Zvicerani Josua Mettler u rrëzua në vendin e njëjtë e më pas Pietro Zazzi në tjetër vend në shteg.
Të gjithë këta pësuan lëndime serioze.
Të dielën tjetër rrëzim të rëndë kishte Gino Caviezel i Zvicrës.
Shtegu “Stelvio” në Bormio të Italisë konsiderohet njëri prej më të vështirëve në ciklin e garave në Kupë të Botës. Kushtet e shtegut prej 3.44 kilometra janë vërtetë sfiduese. Skitarët arrijnë shpejtësi deri në 140 kilometra në orë.
“Bormio është luftë për ekzistencë”, thotë ish-ylli i skijimit, Marco Buchel për “20 Minuten”.
Por si u bënë garat e skijimit kaq të rrezikshme?
“Gjithnjë them se skijimi është bërë sport ekstrem”, tërheq vërejtjen Buchel.
Përqindja e skitarëve të lënduar është shumë e lartë.
“Margjina e bërjes së gabimeve është bërë shumë më e vogël. Gabimet e vogla tani kanë pasoja serioze. Nuk ishte kështu në të kaluarën. Garat me ski janë bërë shumë agresive dhe të rrezikshme”, thotë Buchel.
Lëndimet kanë ndikim te të gjithë skitarët, por ata po shtyjnë veten drejt limiteve.
“Të japësh 98 për qind, më nuk mjafton”, thotë austriaku Vinzent Kriechmayr.
Skitarët po ashtu shfrytëzojnë zbulimet e fundit në mënyrë që të kenë lëshime më të shpejta. Dhe kjo po sjell lëndime më të shumta, thonë ekspertët.
“Tani të gjithë kanë filluar t’i zgjasin çizmet e skive me karbon, që e bënë gjithë situatën edhe më ekstreme. Është si të ngasësh motoçikletën prej 250 kilometra në orë dhe të mbash veshur vetëm një bluzë dhe më pas të thuash se do ta heqësh edhe helmetën”, thekson Buchel.