Presidenti i Komitetit Olimpik Evropian, Spyros Capralos, e ka përmendur xhudisten greke, Elisavet Teltsidou, në dy fjalime publike gjatë aktiviteteve për shënimin e dhjetëvjetorit të pranimit të Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.
Capralos, që është nga Greqia, ishte mysafir i KOK-ut në këtë përvjetor dhe në ceremonitë e mbajtura më herët në dhjetor.
“Dua të shfrytëzoj rastin dhe të flas diçka si president i Komitetit Olimpik të Greqisë. Dua të falënderoj Komitetin Olimpik të Kosovës dhe Federatën e Xhudos së Kosovës. Një xhudiste greke erdhi këtu dhe ushtroi me ekipin tuaj të xhudos. Nuk ishte në kategori me xhudistet tuaja. Dhe ajo arriti në pozitën numër dy në ranglistën botërore dhe kjo është falë jush, falë Federatës së Xhudos së Kosovës dhe duam t’ju falënderojmë publikisht për këtë. Faleminderit”, ka thënë Capralos në konferencën zyrtare për shtyp, në të cilën mori pjesë edhe presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach.
Në ceremoninë qendrore, Capralos e falënderoi edhe trajnerin e Kosovës në xhudo, kryemjeshtrin Driton Kuka.
“Dua të them diçka personale. Ka të bëjë me Driton Kukën, arkitektin e rezultateve kulmore që ka Kosova. E kemi pyetur nëse mund të ndihmojë sportistët grekë që po përpiqeshin të merreshin me xhudo. I kërkuam që një xhudiste e jona të vijë këtu dhe ai e pranoi këtu. E falënderojmë shumë për këtë”, ka thënë Capralos.
Teltsidou aktualisht është e katërta në ranglistën botërore në kategorinë deri 70 kilogramë.
Më herët ishte edhe e dyta. Gjatë vitit 2024 ka arritur suksesin më të madh në karrierë – ka fituar medaljen e argjendtë në Kampionat Evropian. Në Botëror ishte e pesta.
Por si erdhi tek ideja që Teltsidou të kalojë periudha të gjata duke ushtruar në Kosovë, nën urdhrat e kryemjeshtrit Kuka dhe bashkë me xhudistet kosovare.
“Legjenda Majlinda Kelmendi më tha se nëse dëshiroj mund të vij dhe të ushtroj në Kosovë. Erdha për herë të parë, e më pas edhe shumë herë të tjera. Kam raporte shumë të mira me Tonin dhe vajzat atje. Toni është trajner i veçantë, vërtet shumë i mirë”, ka thënë Teltsidou në një bisedë për KOHËN.
Ajo së pari ishte në Kosovë në vitin 2020. U kthye pas Lojërave Olimpike në Tokio dhe qëndroi shpesh e gjatë në Pejë.
“Kam ushtruar shumë në kohë. Shpesh isha për një javë, për dy javë apo 20 ditë. Kam marrë pjesë edhe në disa kampe me ekipin e Kosovës, si për shembull në Slloveni. Stërvitjet e mira me ekipin e Kosovës më kanë ndihmuar shumë. Për këtë kam shumë respekt dhe e çmoj maksimalisht trajnerin legjendar, Driton Kuka. Për këtë i kam treguar gjithnjë presidentit tonë të Komitetit Olimpik. Për këtë presidenti Capralos ka dashur ta takojë atë dhe ka treguar në Kosovë. Në xhudo është praktikë të ushtrohet së bashku. Është sport unik, kemi respekt për njëri-tjetrin dhe jemi si familje”, ka shtuar xhudistja greke.
Teltsidou tregon se në Greqi nuk ka partnere të forta për sparing dhe për këtë arsye ka ardhur dhe do të vijë në Kosovë. E përsërit që qëndrimi në Kosovë e ka ndihmuar që të ngrihet në nivel më të lartë.
29-vjeçarja së fundi në Kosovë ishte para lojërave të Parisit, ndërsa planifikon të vijë sërish nga viti i ardhshëm e tutje.
E pyetur se cili është sekreti i sukseseve të xhudos kosovare, Teltsidou ka dhënë përgjigje të njohur.
“Është kombinim i punës së madhe dhe disiplinës. Toni është i përkushtuar dhe puna që bëjnë xhudistët e tij është profesionale. Më pëlqen që është ekip kaq i disiplinuar”, ka thënë Elisavet Teltsidou.
Xhudistja shpreson që rasti i saj të shërbejë për raporte më të mira mes dy vendeve. Greqia nuk e njeh shtetin e Kosovës.
“Natyrisht, të gjithë duhet të jemi të bashkuar. Më pëlqejnë njerëzit në Kosovës. Me ekipin e xhudos ushtrojmë së bashku për shumë vjet. Janë si familje për mua”, ka thënë Teltsidou.
Por, a ka pasur të tillë në Greqi që i kanë thënë të mos ushtrojë në Kosovë?
“Jo, jo. Askush nuk e ka bërë këtë asnjëherë. Përkundrazi. Në Greqi e njohin Tonin dhe e çmojnë atë.
Gjithnjë më kanë thënë të shkoj të ushtroj në Kosovë. Prej atje gjithnjë jam kthyer më e fortë”, ka thënë Teltsidou.
Në Kosovë për të ushtruar me ekipin e xhudos vijnë edhe sportistë nga shumë vende të tjera të botës.