Që nga shtatori i vitit 1979 skuadra e Nottingham Forestit nuk i kishte gjashtë fitore rresht në elitën e futbollit anglez. Nottinghami është duke kaluar formë të shkëlqyer këtë edicion në Premier League duke u renditur në pozitën e tretë me 40 pikë.

40 pikë i ka edhe Arsenali që është një pozitë më lart. Lider është Liverpooli me 46 pikë. Trajneri i Nottinghamit, Nuno Espirito Santo, ka kërkuar nga futbollistët që ta vazhdojnë këtë formë të mirë deri në përfundimin e sezonit. Fitoren e gjashtë rresht Nottinghami e arriti të hënën mbrëma.

“Është një garë shumë e vështirë. Ne gjithmonë do të përballemi me kundërshtarë të fortë. Duhet të qëndrojmë të përulur. Nuk kemi arritur ende asgjë, duhet të punojmë deri në fund dhe kjo mund të na çojë në momente të mira. Ambicia ime është gjithmonë e njëjtë. Si staf stërvitor ne kemi ambicien për të përmirësuar lojtarët, kjo është ajo me të cilën jemi të fiksuar. Nëse ne përmirësojmë lojtarët, atëherë ekipi do të përmirësohet dhe nëse ekipi përmirësohet, atëherë klubi do të përmirësohet dhe qyteti do të jetë i lumtur”, ka thënë Santo, shkruan të martën “Reuters”.

Nottinghami të hënën në mbrëmje shënoi fitore të thellë 3:0 ndaj Wolverhamptonit në kuadër të javës së 20-të.

Ndeshjen e radhës në kampionatin elitar të Anglisë e ka më 14 janar ndaj Liverpoolit.