Bashkimi e ka fituar ndeshjen dramatike ndaj Trepçës. Të mërkurën mbrëma në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, Bashkimi fitoi me rezultat 76:72.
Ishte kjo kryendeshja e xhiros së 15-të të Superligës së Kosovës në basketboll, përkatësisht e xhiros së parë të stinorit pranveror. Ndeshja u vendos në aksionet e fundit, ndonëse vendasit ishin vazhdimisht në epërsi.
Çereku i parë përfundoi 18:16 për prizrenasit. Në çerekun e dytë vendësit bënë shkëputjen e madhe. E fituan këtë dhjetëminutësh me rezultat 21:11.
Pas pjesës së parë rezultati ishte 39:27 për Bashkimin.
Çereku i tretë ishte shumë interesant. Në gjysmë të këtij çereku, vendasit u shkëputën në plot 23 pikë, 54:31. Pasoi një seri e Trepçës që u afrua në vetëm gjashtë pikë, 54:48. Në fund të periudhës së tretë rezultati ishte 60:50 në të mirë të Bashkimit.
Në çerekun e fundit “xehetarët” u afruan në një pikë, 67:66. Vendasit bënë tjetër shkëputje, 74:66 dhe loja interesante vazhdoi deri në fund. Sërish skuadra mitrovicase u afrua në dy pikë, 74:72, por ndeshjen më qetë e mbyllën vendasit që fituan 76:72.
Mack Smith udhëhoqi Bashkimin me 20 pikë, pesë kërcime e katër asistime.
Plejmejkeri i ri i prizrenasve, Wendell Green debutoi suksesshëm, me 20 pikë e tri kërcime. Altin Morina i shënoi dhjetë pikë të rëndësishme, ndërsa kishte edhe pesë kërcime e gjashtë asistime. Lejson Zeqiri kontribuoi me nëntë pikë, katër kërcime e tri asistime.
Te Trepça u dallua Drilon Hajrizi me 21 pikë, katër asistime e tri kërcime. Malik Johnson i kishte nëntë pikë, dhjetë asistime e nëntë kërcime, por edhe gjashtë topa të humbur. Ndërkohë Sammy Hunter ndeshjen e përfundoi me 13 pikë e pesë kërcime.
Bashkimi për herë të dytë e ka mposhtur Trepçën këtë edicion.
Trepça mbetet lidere me 26 pikë, përkatësisht me bilanc prej 11 fitore e katër humbje. Bashkimi i ka 25 pikë në vendin e dytë. Bilanci i kësaj skuadre është dhjetë fitore e pesë humbje.
Të enjten prej orës 19:00 janë ndeshjet Vëllaznimi – Peja dhe Proton Cable Prizreni – Sigal Prishtina.