Trajneri i Granadas, Fran Escriba, ka thënë se nuk llogarit në sulmuesin shqiptar, Murto Uzuni, i cili ka refuzuar të stërvitet pas kthimit nga pushimet.
Të mërkurën u raportua se skuadra elitare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, FC Austin, ka shprehur interesim për sulmuesin shqiptar. Sulmuesi i Shqipërisë u ka thënë drejtuesve të klubit të arrijnë marrëveshje. Kontrata e futbollistit me Granadan është deri në vitin 2026 dhe nëse ndonjë skuadër dëshiron ta blejë, duhet të paguajë 12.5 milionë euro, shumë që klubi amerikan nuk është i gatshëm ta paguajë për momentin.
“Kur u kthyem në përgatitje nga pushimi, ai na tha se nuk ndihej i gatshëm për t’u stërvitur. Dhe, nëse nuk stërvitet, nuk kam si të llogaris në të. Vazhdoni me atë pozicion që nuk dua të stërvitem me ekipin, nuk mund të detyroj askënd të stërvitet dhe nëse nuk e bën, nuk ka rëndësi”, ka thënë Escriba të enjten për gazetën spanjolle “AS”.
Uzuni është prej lojtarëve më të rëndësishëm te skuadra e Granadas, që garon në Kategorinë e Dytë të Spanjës.
Por trajneri nga Valencia nuk shqetësohet nëse Uzuni refuzon të stërvitet me klubin.
“Varet nga lojtari, jo nga ne. Nëse ai vjen dhe thotë se nuk është në formë, ai do të stërvitet përsëri dhe do të jetë sërish në fushë. Nëse një lojtar, për çfarëdo arsye, thotë se nuk është në gjendje të ushtrojë, nuk mund të bësh asgjë. Unë nuk shoh ndonjë problem, gjëja e rëndësishme është klubi”, është shprehur Escriba.
Ai ka zbuluar edhe diskutimin që po bëhet në klub rreth të ardhmes së Uzunit.
“Në dhomat e zhveshjes u përshtaten shumë mirë situatave. Për të gjithë i rëndësishëm është vetëm ekipi. Askush nuk është para klubit, askush nuk është mbi grupin apo mbi klubin. Për ne vlerësohet si lojtar i lënduar dhe nuk mund të llogarisim tek ai. Skuadra është e fortë”, ka theksuar trajneri spanjoll i Granadas.
29-vjeçari nga Berati iu bashkua Granadas në janar të vitit 2022 nga Ferencvaroshi. Më herët ka luajtur edhe për skuadrat në Shqipëri, Laçi, Tomori, Apolonia. Ka luajtur edhe për NK Lokomotivën e Kroacisë.
Në edicionin aktual, Uzuni ka shënuar 14 gola dhe ka asistuar një herë në La Liga 2 të Spanjës.