Skuadra e Sigal Prishtinës e ka fituar derbin lokal ndaj Borës, në ndeshjen që pati fund dramatik.
Sigal Prishtina të dielën e mposhti Borën me rezultatin 86:83.
Ndeshja u zhvillua në “Pallatin e Rinisë dhe Sportit” në Prishtinë, dhe i takoi xhiros së 16-të të elitës së basketbollit kosovar.
Katër minuta pa u mbyllur e gjithë ndeshja, Sigal Prishtina kishte epërsi prej tetë pikëve, 78:70.
Por, seria prej 11:0 e Borës bëri që mysafirët të kalonin në epërsi 81:78.
Sigal Prishtina nuk u dorëzua dhe afro 30 sekonda para fundit shënoi me Rashid Mahalbashiqin për 82:83.
Në aksionin e radhës për Borën nuk shënoi Henrik Shirko, ndërsa pas topit të fituar në kërcimin në sulm, Jetmir Zeqiri, shkaktoi faull në Mahalbashiqin.
Slloveni Mahalbashiq i shënoi të dyja gjuajtjet e lira për 84:83, në të mirë të nikoqires.
Adem Mekiq në aksionin dhe rastin e fundit për Borën, bëri tjetër gabim në pasim.
Donte Clark e fitoi topin dhe e përfundoi vetë aksionin, për fitoren me tri pikë dallim.
Bora ishte kundërshtare e denjë për Sigal Prishtinën gjatë tërë ndeshjes.
Vendësit e fituan çerekun e parë 24:19, kurse mysafirët 22:18.
Në pushimin e gjatë, Sigal Prishtina shkoi me një pikë dallim, 42:41.
Me një pikë epërsi, Sigal Prishtina e fitoi edhe çerekun e tretë e të katërt, 23:22 dhe 21:20, për fitoren e dytë të njëpasnjëshme.
Ricky Tarrant i kishte statistikat më të mira te Sigal Prishtina me 25 pikë, tri kërcime e pesë asistime. Mahalbashiq ndeshjen e mbylli me 22 pikë, shtatë kërcime e një asistim. Clark pati 11 pikë, gjashtë kërcime e pesë asistime.
Borës nuk i ndihmuan 26 pikët, shtatë kërcimet e shtatë asistimet e Desmond Cambridge Jr dhe as dyshifrori i dyfishtë i Besnik Azenit, që pati 13 pikë e 10 kërcime.
Sigal Prishtina dhe Vëllaznimi kanë nga 24 pikë, me nga tetë fitore e tetë disfata.
Ndërkohë, Bora ka 21 pikë, me pesë fitore e 11 humbje.