Federata Skitare e Kosovës (FSK) ka anuluar disa gara viteve të kaluara, për mungesë të borës në qendrat e skijimit në Kosovë.
FSK-ja të dielën anuloi garën e parë të këtij stinori, po për shkak të kushteve atmosferike. Tani jo për mungesë bore, por për “borën e madhe” që ka rënë së fundi në vend.
Të dielën ishte paraparë të mbahej Kupa Memoriale “Hajrush Demaj” për kategoritë e reja në disiplinat sllallom dhe sllallom i madh. Por kjo garë është shtyrë për një datë tjetër.
“Kupa Hajrush Demaj” është gara e para në kalendarin e FSK-së për këtë dimër.
“Pas konstatimit të delegatit teknik në terren dhe për shkak të kushteve të rënduara nga reshjet e borës, në mbledhjen urgjente të mbajtur nga Këshilli Organizativ i garës njëzëri u vendos që gara e paraparë për sot të shtyhet deri në një njoftim të radhës”, shkruan në njoftimin e FSK-së.
Kryetari i Federatës Skitare, Milaim Kelmendi, ka thënë të dielën për KOHËN se ka qëndruar deri vonë në qendrën e skijimit në Brod. Dhe ka treguar se ka qenë e pamundur që shtegu i skijimit të përgatitet për garë, ndonëse kanë tentuar një gjë të tillë.
“Sa u kthyem nga bjeshka. E anuluam garën sepse garuesit janë të vegjël dhe ka rënë borë e re, 60 centimetra. Garuesit janë të grupmoshës U8 deri në U16. Janë të gjithë fëmijë. Bora ka filluar të bjerë kah ora 18:00 apo 19:00 në mbrëmjen e së shtunës dhe deri tani nuk është ndalur. Nga lart më lajmëruan që ende ka të reshura të borës, diku 60-70 centimetra ka borë të re”, ka deklaruar Kelmendi.
Ai ka theksuar se nuk kanë dashur të rrezikojnë ta mbajnë garën, për t’i shmangur lëndimet e mundshme te fëmijët. Por ka thënë se kjo garë mund të mbahet në javën e ardhshme.
“Realisht ne nuk guxojmë që asnjë fëmijë ta lëshojmë pa e shtypur borën mirë sepse këta janë të vegjël. Mundësitë për lëndime nëpër borë të pangjeshur janë më të mëdha. Ne tentuam që ta ngjeshim atë por ishte borë e imtë dhe vetëm grumbullohej dhe e prishte gjithë pistën. Kështu që e kemi shtyrë garën për një datë tjetër. Bora e re duhet të qëndrojë pak, përndryshe është problem. Këta janë të vegjël dhe duhet t’ua rrafshojmë pistën, përndryshe ka mundësi të lëndimeve”.
Kjo garë ishte paraparë të mbahej në Bogë të Pejës. Por, sipas Kelmendit, mosmarrëveshjet e pronarit të ski-liftit me pronarët e pronave private në atë qendër të skijimit kanë bërë që gara të bartet në Brod të Dragashit.
Vitin e kaluar në Kosovë janë anuluar disa ngjarje të skitarisë, shkaku i mungesës së borës.
KOHA më 30 janar të vitit të kaluar ka shkruar se janë anuluar dy gara në mungesë të borës, pasi pista nuk i kishte plotësuar kriteret. Ato janë zhvilluar më vonë. Telashe të tilla ka pasur edhe në vitet e mëhershme. Dhe kjo natyrisht se i ka dëmtuar edhe garuesit.
“Edhe sivjet besoj se do t’i përfundojmë të gjitha garat. Kemi borë mjaftë, mbi një metër e gjysmë borë. Por duhet të presim deri sa të pushojnë reshjet dhe të startojmë sërish me këtë garë. Ne këtë kalendar e kemi mundësinë edhe ta ndryshojmë. Bordi e ka fuqinë që ta ndryshojë. Mundemi që ndoshta javën tjetër të vendosim ta mbajmë sërish, normalisht nëse janë kushtet për garë”, deklaroi Milaim Kelmendi.
Më 4 dhe 5 janar në të gjitha qendrat e skijimit është e paraparë të mbahet “Aksioni masovik ‘Të gjithë në borë’”, për të gjitha kategoritë. Por, nuk ka asnjë njoftim në faqen zyrtare të FSK-së se ky aktivitet është mbajtur.
Më 22 e 23 shkurt në Brod duhet të organizohen “Kampionati i Kosovës” te Kategoritë e Reja dhe “Kupa e Arxhenës” dhe “Kampionati i Kosovës” te të rriturit.
Më 15 e 16 mars në Brod është “Gara Ndërkombëtare e FIS-it” te kategoritë e reja dhe në fund të muajit mars, e njëjta garë për kategoritë e vjetra.
“Kupa e Gjeravicës”, e cila nuk poentohet, është paraparë të mbahet në Deçan, në muajin mars e prill për të gjitha kategoritë. Gjitha këto aktivitete parashikohen në kalendarin zyrtar. Mbetet të shihen cilat do të mbahen.
Skitarët pjesëmarrës në EYOF dhe Kampionat Botëror
Kosova do të përfaqësohet me gjashtë skitarë në Kampionatin Botëror që prej 4 deri më 16 shkurt do të organizohet në Saalbach të Austrisë. Garuesit që do të marrin pjesë në këtë garë janë Arbi Pupovci, Drin Kokaj, Klos Vokshi, Arba Pupovci, Lirika Deva dhe Kiana Kryeziu.
Prej 9 deri më 16 shkurt, Klara Sefaj dhe Andi Pupovci do të garojnë në Festivalin Olimpik Dimëror për të Rinj (EYOF), që organizohet në Bakuriani të Gjeorgjisë. Garat do t’i zhvillojnë në disiplinën e sllallomit dhe sllallomit të madh, ka njoftuar kryetari i FSK-së, Milaim Kelmendi.