Khvicha Kvaratskhelia është zyrtarisht lojtar i Paris Saint-Germainit.
23-vjeçari nga Gjeorgjia ka firmosur me kampionin francez të premten mbrëma. Parisit i ka kushtuar 70 milionë euro transferimi i Kvaras nga Napoli.
Ai luan kryesisht si sulmues krahu, ndërsa ka pasur ngritje të mahnitshme në karrierë. Është zhvilluar te Dinamo Tbilisi, ndërsa më pas luajti për Rustavin në Gjeorgji, Lokomotiv Moskën e Rubin Kazanin në Rusi dhe sërish për Dinamo Batumin në Gjeorgji. Në verën e vitit 2022, gjeorgjianin e transferoi Napoli nga skuadra Dinamo Batumi. U raportua se transferimi kushtoi prej 10 deri në 12 milionë euro.
Për Napolin, Kvaratskhelia i ka zhvilluar gjithsej 107 ndeshje. Gjatë tyre ka shënuar 30 gola dhe ka bërë 29 asistime. Për Gjeorgjinë deri më tani ka 40 paraqitje e 17 gola.
Ishte prej më meritorëve që Napoli e fitoi titullin e kampionit të Italisë në vitin 2023.
Kvaratskhelia do ta mbajë fanellën me numrin 7, ndërsa ka firmosur kontratë të vlefshme deri në vitin 2029. Është lojtari i parë i Gjeorgjisë që firmosë me Parisin.
“Është ëndërr të jesh këtu. Më janë thënë shumë gjëra pozitive për Paris Saint-Germainin. Ndihem shumë krenar që i bashkohem këtij klubi të madh dhe mezi pres të vesh fanellën e klubit”, ka thënë Kvaratskhelia.
Presidenti i Parisit, Nasser Al-Khelaifi, është shprehur i lumtur që kanë transferuar një emër të madh të futbollit ndërkombëtar.
“Jemi të lumtur t’i dëshirojmë mirëseardhje në familjen e Parisit. Khvicha është një prej lojtarëve më interesant në botën e futbollit. Një talent fantastik, por edhe lojtar që ka kurajë dhe lufton për ekipin më shumë se për çdo gjë tjetër. Khvicha ishte i vendosur të bashkohet me ne. E di që do t’i realizojë të gjitha synimet që i ka me ne. Jemi të lumtur që e forcojmë skuadrën tonë dhe të angazhojmë yje te Paris Saint-Germaini”, ka thënë Al-Khelaifi.
Kharatskhelia ka qenë prej lojtarëve kryesorë të Napolit edhe këtë edicion. Por ai ka insistuar që të transferohet te Parisi, klub që dominon në futbollin francez, por që po ka telashe ta shtrijë dominimin në Evropë.
Synimi i madh i Parisit është trofeu i Ligës së Kampionëve. Por skuadra e Luis Enriques momentalisht e ka sfidë vetëm kalimin e fazës së ligës në Champions. E presin dy ndeshje vendimtare. Natyrisht, shumë në ato ndeshje pritet nga Kvaratskhelia.