Pas fitores ndaj Proton Cable Prizrenit në xhiron e kaluar, Peja e ka shënuar edhe fitoren e dytë rresht në elitën e basketbollit kosovar. 

Pejanët të shtunën në palesrën “1 Tetori” në Prishtinë, ia shkaktuan Borës humbjen e dytë të njëpasnjëshme, në ndeshjen e xhiros së 17-të. 

Peja fitoi me gjashtë pikë dallim, 85:79, ndonëse skuadra prishtinase pjesën e parë e mbylli me një pikë epërsi 51:50. 

Vendimtare në fitoren e Pejës ishte periudha e dytë, të cilën mysafirët e fituan me shifrat 21:11. 

Në dhjetëminutëshin e fundit, Bora u mundua të kthehej në lojë dhe u afrua edhe në tri pikë, 79:82, 47 sekonda para fundit të ndeshjes. 

Por “verdhezinjtë” u treguan më të suksesshëm në përfundim të ballafaqimit dhe nuk lejuan befasi. 

Tristan Ikpe pati dyshifror të dyfishtë prej 22 pikëve e 13 kërcimeve, ndërsa shtoi edhe dy asistime. 

I pati statistikat më të mira te Peja. 

Kontribut në fitore me 15 pikë, 13 kërcime e dy asistime dha edhe Jonathan Galloway. 

Desmond Cambridge Jr ishte më i miri te skuadra e tij me 24 pikë, pesë kërcime e tri asistime. 

Por, nuk mjaftuan për ta shmangur humbjen. 

Peja pas 17 ndeshjeve të luajtura i ka dhjetë fitore e shtatë humbje, dhe zë vendin e tretë me 27 pikë. 

Bora në pozitën e parafundit mbetet me pesë fitore e 12 humbje dhe me 22 pikë të grumbulluara.