Formën e mirë që e shfaqi në mesjavë në ndeshjen e parë të Kupës në fitoren ndaj Bashkimit, Vëllaznimi i Gjakovës e ka përcjellë edhe të shtunën në Superligën e Kosovës në basketboll. 

Vëllaznimi fitoi 78:72 edhe ndaj kampiones në fuqi, Trepçës, e cila humbi në mesjavë në Kupën e Kosovës nga Sigal Prishtina. 

“Kuqezinjtë” ishin nikoqir në këtë ballafaqim, por ndeshja është luajtur në palestrën “Minatori” në Mitrovicë.

Me marrëveshje të klubeve, ndeshja e paraprake ishte zhvilluar në Gjakovë, ndonëse Trepça ishte vendëse. 

Takimi i së shtunës mbrëma ishte shumë i fortë dhe u vendos vetëm në minutat e fundit.

Trepça kishte epërsi prej dy pikëve, 68:66, dy minuta e 45 sekonda para fundit. 

Por, ishin pikët e Jericole Hellems që e kaluan në epërsi Vëllaznimin, 69:68. 

Më pas Don Polloshka shënoi për 71:68, dhe realizoi edhe një gjuajtje të lirë për 72:68. Deri në fund, Vëllaznimi nuk e lëshoi epërsinë e krijuar dhe fitoi me gjashtë pikë dallim. Basketbollistët e Trepçës nuk konkretizuan aksionet që i patën dhe kjo u kushtoi me humbje.  

Vëllaznimit i takoi periudha e parë 25:16, ndërsa të dytën e të tretën i fitoi Trepça 18:14 dhe 21:14. 

Në fillim të çerekut të fundit, Trepça kishte epërsi prej dy pikëve, 55:53. 

Por, në çerekun vendimtar, Vëllaznimi triumfoi 25:17, për fitoren e radhës në Superligën e Kosovës në basketboll. 

Hellems ishte më i miri te Vëllaznimi me 23 pikë, nëntë kërcime e dy asistime. 

Antwan Walker i pati tetë pikë, 13 kërcime e një asistim, ndërsa Trey Anderson i kishte 14 pikë, katër kërcime e një asistim. 

Polloshka kontribuoi me nëntë pikë të realizuara. 

Te Trepça lojë të mirë pati Tekele Cotton me 23 pikë, pesë kërcime e katër asistime, kurse kapiteni Drilon Hajrizi i shënoi 17 pikë, tetë kërcime e tri asistime. 

Pavarësisht humbjes, Trepça mbetet në krye të tabelës me 29 pikë, me 12 fitore e katër humbje. 

Për Vëllaznimin ishte fitorja e nëntë, krahas tetë disfatave. Gjakovarët kanë 26 pikë dhe janë në mesin e tabelës.