Disa tifozë të Manchester Cityt vendosën ta fyejnë yllin e Real Madridit, Vinicius Junior, duke shfaqur një pano me fotografi të Rodrit me Topin e Artë dhe një porosi për brazilianin për t’i ndalur lotët.

Por Vinicius, i cili tha se beson që aktiviteti i tij kundër racizmit bëri që mos ta fitojë çmimin prestigjioz vitin e kaluar, e shfrytëzoi panon fyese si motivim. Ai ndihmoi Jude Bellinghamin të shënonte golin e vonshëm për fitoren 3:2 të Real Madridit.

“Po e pashë atë. Herë pas here tifozët kundërshtarë bëjnë gjëra që më nxisin të kem paraqitje të shkëlqyera. E kam bërë këtë sërish këtu dhe ne ia dolëm ta fitojmë ndeshjen”, ka thënë Vinicius Junior. Ai u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes nga UEFA.

Real Madridi anuloi planet për të marrë pjesë në ceremoninë “Topi i Artë” pasi u kuptua se Vini Jr nuk do të shpallej më i miri. Shumë njerëz të futbollit, duke përfshirë Cristiano Ronaldon, deklaruan se braziliani ka merituar të jetë fitues i çmimit kryesor individual në futboll.

Më pas Viniciusi u shpall lojtari më i mirë i vitit 2024 sipas FIFA-s.

“Tani kthehemi në Madrid dhe tifozët tanë do ta bëjnë ndeshjen e dytë të veçantë”, ka thënë Vinicius.

“Ndeshja e kthimit do të jetë e vështirë, por duhet ta mbajmë epërsinë. Duhet të mbrohemi sikur në Manchester për të siguruar një tjetër mbrëmje magjike para tifozëve tanë”.

Real Madridi është fitues në fuqi i Ligës së Kampionëve.

Trajneri Carlo Ancelotti ka thënë se sfida mbetet e hapur, por ka çmuar fitoren.

“Nuk kemi mundur ta ‘mbysim’ sfidën, por kemi avantazh të lehtë. Ishte ndeshje e mirë për ne dhe duhet të jemi të lumtur. Kemi pasur shumë shanse, por edhe City na bëri probleme. Tani duhet të përgatitemi mirë për ndeshjen e kthimit. Gjithsesi fitorja na jep shumë besim”, ka thënë Ancelotti.

Madridi po ka telashe të shumta në mbrojtje për shkak të lëndimeve. Por gjërat funksionuan në Manchester.

“Edicioni në të vërtetë ka nisur tani dhe përkundër vështirësive morëm rezultat të mirë. Katër lojtarët që luajtën në mbrojtje nuk kanë luajtur dhe nuk janë stërvitur asnjëherë së bashku. Përkundër gjendjes emergjente, ne ia dolëm të nxjerrim diçka nga kjo”, ka shtuar Ancelotti.