Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola nuk ka mundur të shpjegojë një tjetër “kolapsim” të skuadrës së tij në fund të ndeshjes. City humbi 3:2 nga Real Madridi në ndeshjen e parë të plejofit të fazës nokaut në Champions. Kështu kampioni anglez përballet me eliminim të hershëm.

“Në minutat e fundit e kishim rezultatin dhe nuk kemi mundur ta mbajmë atë”, ka thënë Guardiola.

“Pas epërsisë 2:1, në shumë ndeshje ka ndodhur kjo, ndaj Feyenoordit në Ligën e Kampionëve, ndaj Brentfordit në Premier League, ndaj Manchester Unitedit, shumë ndeshje në fund i kemi lëshuar. Për fat të keq kjo ka ndodhur kaq shumë herë, është vështirë”, ka vazhduar spanjolli.

Guardiola ka pranuar përgjegjësinë, por ka thënë se ajo u takon të gjithëve.

“Nuk e kam problem ta pranojë. Nuk mund ta fajësojë një lojtar të caktuar. Ka të bëjë me të gjithë, me mua së pari. Edhe me lojtarët po ashtu”.

Guardiola ka pranuar se lojtarët e Real Madridit e kanë dashur më shumë fitoren dhe se në momentet kur po vendosej sfida, nuk kanë mundur t’iu përgjigjen atyre.