Mesfushori kosovar, Lindon Emërllahu, ka dhënë deklaratën e parë pas transferimit nga Ballkani te Cluji rumun.

Emërllahu të martën u prezantua në klubin rumun, ndërsa u raportua se Ballkani ka përfituar 700 mijë euro nga shitja e tij. Ai u shpall lojtari më i mirë në Kosovë për vitin 2024. Me Ballkanin ka shkëlqyer për shumë vjet dhe tani bëri hapin tjetër në karrierë.

Si shumë të tjerë para tij, Emërllahu, vendosi për kampionatin rumun.

“Jam i lumtur që jam këtu, në një klub të madh si CFR Cluj, që vit pas viti është në krye të tabelës. E kam përcjellë skuadrën këtë edicion dhe dua që së bashku të kemi momente të mira. Do të jap çdo gjë për ekipin, për tifozët dhe për këto ngjyra që t’ia dalim të jemi kampionë sërish”, ka thënë Emërllahu.

CFR Cluj në edicionin e kaluar ishte nënkampion në Rumani. Ka tetë tituj të kampionit të Rumanisë. Titullin e parë e fitoi në vitin 2008, ndërsa ishte kampion rregullisht nga viti 2018 e deri në vitin 2022. Pjesë e Clujit është edhe Meriton Korenica.

Cluji aktualisht është lider në kampionatin rumun. I ka 46 pikë, sa edhe FCSB. Tri skuadra të tjera i kanë nga 45 pikë.

Te Cluji presin shumë nga Emërllahu, që tashmë ftohet rregullisht nga Kosova.