Basketbollistët e Trepçës festuan gjatë në palestrën e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, të mërkurën mbrëma. Kishin arsye për të festuar. Trepça për herë të katërt rresht fitoi Kupën e Kosovës, trofeun e dytë më të rëndësishëm të basketbollit.

“Xehetarët” këtë e arritën pas fitores 85:79 ndaj Bashkimit. Ndeshja u zhvillua në  atmosferën madhështore që u krijua nga të dyja tifozëritë. Festa në fund u takoi mitrovicasve, të cilët e fituan për të tetën herë në histori të klubit.

Trepça në Kupë kishte triumfuar edhe në vitet 1993, 2000, 2004 dhe 2012.

Por te Trepça thonë se festa tashmë ka mbaruar, pasi synojnë të fokusohen maksimalisht në kampionat për të fituar edhe titullin e kampionit.

Trepça sërish do të udhëtojë drejt Prishtinës. Ndeshjen e radhës në kampionat e luan ndaj Borës në Prishtinë të shtunën.

“Gjithçka është mirë falë Zotit, por nuk kemi kohë për festë të gjatë, pasi kemi ndeshje të shtunën”, thotë Mikaile Tmushiq për KOHËN të enjten.

Tmushiq u shpall lojtari më i vlefshëm i finales.

Ai e mbylli ndeshjen finale të Kupës me 15 pikë. Tekele Cotton i kishte statistikat më të mira me 18 pikë, pesë kërcime e tri asistime. Michael Green, fundori i ri i mitrovicasve kontribuoi me 18 pikë.

“Çelësi i suksesit është se kemi besuar në punën e madhe, kemi besuar dhe kemi pasur durim. Gjithë rrugëtimi ishte i vështirë. Kemi pasur gjysmëfinale me Sigal Prishtinën ku e kemi humbur ndeshjen e parë, ndërsa të dytën e fituam më me lehtësi pasi ata kishin mungesa. Do të ishte më e vështirë nëse ata do të ishin të kompletuar. Në finale ne luajtëm ndaj skuadrës me të cilën e ndajmë vendin e parë dhe nuk është aksidentalisht aty. Bashkimi është skuadër shumë e mirë, me shumë lojtarë vendorë. Por ne e kemi ditur se duhej të luanim ndeshje të fortë në mbrojtje gjatë 40 minutave dhe të fitojmë. Dhe doli pikërisht si kam menduar. E kemi kontrolluar shumicën e ndeshjes me mbrojtje të fortë dhe në fund e fituam Kupën”, është shprehur Tmushiq.

Garë e fortë për titull vlerësohet të ketë edhe në këtë edicion. Trepça dhe Bashkimi i prijnë tabelës me nga 34 pikë. Sigal Prishtina është e treta me 32 pikë, një më shumë se Vëllaznimi që është i katërti. Peja ka 30 pikë në vendin e pestë, ndërsa Golden Eagle Ylli i gjashti ka 28 pikë. Bora e Proton Cable Prizreni kanë 26 e 25 pikë në dy vendet e fundit.

Kontribut në finalen e fituar ndaj Bashkimit dha edhe Drilon Hajrizi, njëri prej basketbollistëve më të mirë vendorë prej shumë vjetësh.

“Kemi filluar mbarë, duke triumfuar në Superkupë. Kemi vazhduar me Kupën e Kosovës. Falë punës dhe angazhimit që është duke u bërë besoj shumë që do t’ia dalim edhe këtë vit ta kompletojmë një vit shumë të suksesshëm në të gjitha garat”, ka deklaruar Hajrizi një ditë pas triumfit në Kupë.

Hajrizi thotë se sukseset e tilla të bëjnë të ndihesh mirë, pasi shpërblehen mundi, puna e sakrifica e të gjithëve. Ai uron që të njëjtat të vazhdojnë deri në fund të sezonit.

“Me të vërtetë jemi duke funksionuar shumë mirë si skuadër. Po besoj që kjo Kupë do të na japë stabilitet edhe më të madh deri në fund të kampionatit, që të kemi qetësi më të madhe e angazhim edhe më të madh për ta mbrojtur titullin. Dihet se më vështirë është për t’i mbrojtur trofetë sesa t’i fitosh ato”, është shprehur Hajrizi.

Trepça në edicionin e kaluar i fitoi gjithë trofetë në basketbollin kosovar, titullin, Kupën e Kosovës, Superkupën dhe turneun e Ligës Unike. Në edicionin aktual e fitoi Superkupën, ndërsa të mërkurën mbrëma ngriti lart edhe trofeun e Kupës së Kosovës.