Besa Famgas e ka fituar derbin e xhiros së 17-të të Superligës së Kosovës në hendboll.
Të shtunën në Banjë të Pejës, Besa mposhti Kastriotin e Ferizajt me rezultat 40:28. Pjesa e parë ishte e fortë e në momente edhe e tensionuar. Ndërkohë në pjesën e dytë ekipi pejan dominoi plotësisht.
Vladimir Stankoviq i kishte nëntë gola për Besën, derisa nga tetë i shënuan Olsi Mulaj e Jon Vokshi.
Te Kastrioti më efikasi ishte Deniz Terziqi me nëntë gola, derisa shtatë i realizoi Yassine Henahen.
Besa është e dyta me 26 pikë, dy më shumë se Kastrioti që renditet i treti. Ekipi ferizajas ka një ndeshje më pak të luajtur.
Tri ndeshjet tjera të xhiros së 17-të u luajtën të dielën.
Rahoveci e mposhti Prishtinën me rezultat 37:31. Rahoveci ishte vendas, por sfida megjithatë u zhvillua në Prishtinë për shkak se palestra në Rahovec është e zënë me numërimin e votave.
Rahoveci ka 17 fitore dhe udhëheq në tabelë me 34 pikë. Prishtina renditet e katërta me 17 pikë.
Dy ndeshjet tjera të së dielës kishin peshë në garën për mbijetesë. Trepça e shënoi fitoren e tretë rresht. E mposhti Llapin në Samadrexhë me rezultat 36:31.
Trepça mbetet e fundit, por tani i ka gjashtë pikë, vetëm dy më pak se Vjosa. Llapi ësht i gjashti me nëntë pikë.
Fitoren më të thellë të xhiros e shënoi Vushtrria. Në Shtime e mposhti Vjosën me rezultat 63:14. Me fitore Vushtrria doli në vendin e pestë me 10 pikë.