Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll ka dështuar ta kalojë raundin e parë të parakualifikimeve evropiane për Kampionatin Botëror të vitit 2027.
Në ndeshjen e fundit të Grupit A, Kosova u mposht nga Zvicra me rezultat 81:73.
Ndeshja u zhvillua të dielën mbrëma në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, arenë që ishte e mbushur me shikues. Por ndihma nga shikuesit nuk i kreu punë Kosovës.
Zvicra, ndonëse më herët siguroi kualifikimin dhe ishte pa disa prej lojtarëve më të rëndësishëm, ka dominuar plotësisht. Ishte vazhdimisht në epërsi dhe mori dy pikë të reja. Kosovës i duhej fitorja për të shpresuar në kualifikim nga pozita e dytë.
“Dardanët” përfunduan garën në vendin e tretë të Grupit A me tetë pikë. Kanë shënuar dy fitore dhe kanë pësuar katër humbje. Zvicra e fitoi grupin me 12 pikë, përkatësisht me gjashtë fitore bindëse. Irlanda është e dyta me nëntë pikë, ndërsa Azerbajxhani renditet i fundit me shtatë pikë.
Për Kosovën ky është vetëm cikli i radhës i përfunduar pa sukses të synuar.
Ndaj Zvicrës, Kosova e humbi 75:43 ndeshjen në udhëtim. Kishte shpresë për revansh, por ai nuk ishte as afër. Helvetikët e fituan çerekun e parë me rezultat 23:!4, ndërsa të dytin me 23:16. Çereku i tretë i takoi Kosovës 15:13, por edhe pas 30 minutave lojë epërsia e Zvicrës ishte e madhe. Në çerekun e katërt, përkundër përpjekjeve, Kosova nuk ia doli të rrezikojë epërsinë e mysafirëve.
Kapiteni Dardan Berisha i kishte 20 pikë te Kosova. Lis Shoshi realizoi 10 pikë e gjashtë kërcime, ndërsa 16 pikë e katër asistime i kishte Divine Myles. Dardan Kapiti ndeshjen e përfundoi me pesë pikë e plot 11 kërcime.
Te Zvicra u dalluan Yoan Granvorka e Paul Gravet me nga 20 pikë. Granvorka i kishte edhe dhjetë kërcime.
Përfaqësuesja e Kosovës vazhdon të ketë telashe të shumta për të kaluar raundet e para të parakualifikimeve, ndonëse basketbolli në Kosovë vazhdon të jetë shumë popullor. Klubet investojnë edhe mbi një milion euro brenda një viti, por zhvillimi i basketbollistëve vendorë as për së afërmi nuk është i duhuri. Dhe kjo vërehet në çdo ndeshje që e luan përfaqësuesja e Kosovës.