Sigal Prishtina e ka regjistruar fitoren e tetë rresht në elitën e basketbollit të Kosovës.
Të shtunën në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, kryeqytetasit nuk patën telashe ndaj skuadrës së vendit të fundit, Proton Cable Prizrenit dhe fituan 102:89.
Sigal Prishtina përkohësisht del në pozitën e dytë me 36 pikë, me 14 fitore e tetë humbje.
Lider është Bashkimi me 36 pikë, ndërsa Trepça ka 35 pikë. Të dyja kanë nga një ndeshje më pak të luajtur.
Ndeshja i takoi xhiros së 22-të dhe u dominua nga vendësit.
Çerekun e parë, Sigal Prishtina e fitoi 30:23, ndërsa të dytin 22:21, për të shkuar në pushimin e gjatë me 12 pikë dallim, 52:44.
Periudha e tretë u takoi prizrenasve 23:22, por nikoqirja nuk lejoi befasi duke e fituar dhjetëminutëshin e fundit 28:22.
Cory Reeves i pati statistikat më të mira te Sigal Prishtina me 23 pikë, shtatë kërcime e dy asistime.
Rashid Mahalbashiq i shënoi 10 pikë, katër kërcime e gjashtë asistime. Dhjetë pikë i kishte edhe Daniel Lekndreaj , kurse Donte Clark kontribuoi në fitore me 12 pikë, gjashtë kërcime e katër asistime.
Proton Cable Prizrenit nuk i ndihmoi loja e mirë e Tervell Beckut, që shënoi 25 pikë, gjashtë kërcime e tri asistime.