Peja kishte epërsi prej pesë pikëve ndaj Vëllaznimit pas pjesës së parë që përfundoi 41:36. Ndeshje e barabartë u zhvillua deri në fundin e ballafaqimit që u vendos në sekondat e fundit.
Në momentet vendimtare, pejanët ishin më të përqendruar dhe fituan ndaj skuadrës gjakovare 64:59.
Një minutë e 16 sekonda para se të mbyllej e tërë ndeshja e xhiros së 22-të që u zhvillua në palestrën “Karagaçi” në Pejë, rezultati ishte i barabartë 59:59.
Më pas, basketbollistët e Pejës i shënuan edhe pesë pikë tjera me Tristan Ikpen, Tulio Da Silvan, Amin Hotin e Arti Hajdarin. Basketbollistët e Vëllaznimit nuk e realizuan më asnjë pikë, ndonëse kishte disa tentime për tri pikë.
Dhe kështu, festa u takoi vendësve.
Da Silva ishte më i dalluari me 12 pikë e dhjetë kërcime te Peja. Kapiteni Hajdari e mbylli ndeshjen me 14 pikë, dhjetë kërcime e një asistim, ndërsa Hot i pati shtatë pikë, dy kërcime e dy asistime.
Trey Anderson te Vëllaznimi i kishte 19 pikë e shtatë kërcime, ndërsa me dhjetë pikë, po aq kërcime e një asistim, ndeshjen e mbylli Antëan Walker. Kontributi i tyre nuk mjaftoi dhe Vëllaznimi u mposht në fund, duke e lëshuar edhe pozitën e katërt.
Tani Peja është e katërta me 33 pikë, aq sa ka edhe Vëllaznimi në vendin e pestë, me nga 11 fitore e 11 disfata.