Xherdan Shaqiri vazhdon të jetë vendimtar te Baseli. Pas tri ndeshjeve kampionale pa fitore, Baseli të shtunën fitoi 2:0 ndaj Sionit. Shaqiri shënoi për 2:0 në minutën e 25-të. Ishte gol i pazakontë i 33-vjeçarit. Ai e kishte mendjen të bënte pasim, përkatësisht të asistonte, por topi përfundoi në rrjetë.
Shaqiri pasoi ulët dhe jo fuqishëm, por topin nuk e preku askush në rrugën drejt portës rivale.
“Nuk e di nëse kam bërë diçka të tillë më parë”, ka thënë Shaqiri për “Bluewin” pas ndeshjes.
“Natyrisht se kam dashur të pasojë”, ka thënë ai për SRF. “Nëse Dominik Schmid do ta godiste topin, do të ishte një pasim i bukur i imi”.
Por Schmid e la topin të kalonte dhe kështu bëri të mundur golin e dytë në ndeshje. I pari ishte autogol i Benjamin Kolollit, ish-lojtarit të Baselit.
“Me qëllim nuk e kam prekur topin. E kuptova që pasimi i Shaqirit është mjaft i mprehtë dhe besova që topi do të futej në portë pranë shtyllës së dytë, për shkak të mënyrës se si po lëvizte”, ka thënë Schmid, që ka theksuar se edhe portierin e Sionit e ka hutuar me qëllim.
Shaqiri ka shënuar gol pas gati një muaji. Kapiteni i Baselit tani i ka nëntë gola e 11 asistime në 22 paraqitje në Superligën e Zvicrës.
“Në fund të fundit, kjo nuk është aq e rëndësishme për mua. Për mua e rëndësishme është që topi përfundoi në portë dhe tri pikët”, ka thënë Shaqiri.
Shaqiri u zëvendësua në minutën e 63-të. Në ndeshjen e kaluar kampionale ndaj St. Gallenit, ishte zëvendësuar në minutën e 73-të. Trajneri i Baselit ishte kritikuar shumë për zëvendësimin e Shaqirit.
Baseli në atë ndeshje ishte duke fituar 2:0 e pas largimit të Shaqirit rezultati u barazua në 2:2.
Ndaj Sionit, fitorja nuk u rrezikua.
“Po mundohem ta kryej punën time mirë. Nëse mendoj se Shaqiri duhet të qëndrojë në fushë, ai qëndron. Nëse mendoj se duhet të zëvendësohet, atëherë do ta zëvendësojë”, ka thënë Fabio Celestini.
“Blick” ka shkruar sërish për zëvendësimin e hershëm të Shaqirit. Celestini sërish ka thënë se nuk i ka kuptuar kritikat për zëvendësimin e Shaqirit, në kohën kur skuadrës i duhej të mbrohej nga topat e lartë të kundërshtarit, pas goditjeve standarde.
Baseli është lider në Superligën e Zvicrës, por gara për titull vazhdon të jetë shumë e fortë.