Ardian Ismajli dhe Edvin Kurtulush ishin dy kapitenët që u larguan nga përfaqësuesja U21 e Kosovës për ta përfaqësuar një vend tjetër. Ismajli kaloi te Shqipëria dhe tani është prej lojtarëve më të rëndësishëm te kuqezinjtë.
Nga Kosova te Shqipëria kanë kaluar edhe lojtarë të tjerë, ndërsa kësaj liste i shtohet edhe Etnik Brruti.
Brruti do ta përfaqësojë Shqipërinë. Kështu ekipet përfaqësuese të Kosovës vazhdojnë të mbesin pa lojtarë cilësorë. Kjo ndodh për arsye të ndryshme.
Të tjera largime nga Kosova priten edhe në të ardhmen.
Brruti tash e disa vjet, ndonëse i ri në moshë, me plot sukses është paraqitur në futbollin kosovar. 21-vjeçari ishte lojtar i Besës së Pejës, ndërsa tani aktivizohet te Malisheva. Ka luajtur edhe për të rinjtë e Prishtinës. Stili i tij i lojës është vlerësuar lartë nga njohës të futbollit në Kosovë.
Brruti ka luajtur për grupmoshat U19 e U21 të Kosovës. Madje ishte kapiten i Shpresave të Kosovës në dy ndeshjet e fundit miqësore ndaj Maqedonisë së Veriut. Ka zhvilluar 402 minuta përgjatë gjashtë ndeshjeve zyrtare në kualifikimet e Evropianit 2025. Në janar ishte në një grumbullim që selektori i Kosovës A, Franco Foda, mbajti me futbollistët me potencial që të bashkohen me Kosovën.
Shpejtë pritet të paraqitet për ekipin A të Shqipërisë.
Burime të KOHËS të afërta me mesfushorin kanë mësuar se ai ka pasur kontakte me përzgjedhësin e Shqipërisë, Sylvinho.
Brruti menjëherë pas kompletimit të dokumentacionit, pritet që ta veshë fanellën “kuqezi”.
Brruti pritet të ftohet për ndeshjet ndaj Anglisë dhe Andorrës, që i takojnë kualifikimeve për Kupën e Botës 2026. Ndeshja Anglia – Shqipëria luhet më 21 mars dhe i takon Grupit K. Në këtë grup janë edhe Letonia dhe Serbia.
Nga Kosova U21 si kapiten në të kaluarën në drejtim të Shqipërisë ishte larguar edhe Ardian Ismajli. Kapiten ishte edhe Edvin Kurtulush që iu bashkua Suedisë.
Më pas nisi një valë e re e largimeve. Arbër Hoxha, Mirlind Daku, Arbnor Muja ishin treshja e radhës për të cilët u diskutua shumë në Kosovë. Hoxha dhe Daku kanë shfaqur nivel më të lartë dhe ishin edhe pjesë e Evropianit të vitit të kaluar në Gjermani me Shqipërinë. Përveç tyre nga Kosova janë larguar për arsye të ndryshme edhe Adrion Pajaziti, Medon Berisha e Dion Berisha. Edhe këta janë vlerësuar me potencial për Kosovën A, por vendosën të largoheshin.
Ndeshje me Kosovën A kishte zhvilluar Uran Bislimi, mesfushori i Luganos. Ai kishte shënuar gol madje me “Dardanët” e më pas kishte refuzuar t’i bashkohej Kosovës. Lista e lojtarëve që më herët kanë luajtur te Kosova dhe janë larguar është e gjatë.