Më 16 janar Vëllaznimi e prezantoi me bujë të madhe Mirel Josën si trajner, ndërsa të mërkurën ka njoftuar se ka ndarë rrugët me trajnerin e mirënjohur shqiptar.
“KF Vëllaznimi dhe kryetrajneri Mirel Josa, sot kanë arritur marrëveshje të dy anshme për shkëputjen e bashkëpunimit. KF Vëllaznimi e falenderon kryetrajnerin Josa për bashkëpunimin dhe punën e deritanishme dhe i uron sukses në të ardhmen. Mbi të gjitha është Vëllaznimi”, shkruan në njotimin e shkurtë të Vëllaznimit, që zë vendin e pestë me 32 pikë në grupin A të Ligës së Parë.
Josa në Kosovë ka punuar edhe te Prishtina. Nën drejtimin e Josës, Prishtina fitoi Kupën e Kosovës.
Josa ka drejtuar me shumë sukses edhe skuadrën e Tiranës, Skënderbeut dhe Vllaznisë.
Me këtë të fundit fitoi Kupën e Shqipërisë. Suksesin më të madh e ka arritur me Skënderbeun.
Fitoi katër tituj të kampionit dhe dy Superkupa.
Një titull dhe një Kupë të fituar e ka edhe me Tiranën.