Sigal Prishtina i është bashkuar Vëllaznimit në finalen e Ligës Unike, pas fitores ndaj Besëlidhjes.

“Bardhekaltrit” e kryeqytetit fituan ndaj skuadrës së elitës së basketbollit të Shqipërisë, Besëlidhjes së Lezhës, 81:67.

Ndeshja u zhvillua në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, që është edhe nikoqire e turneut “Final 4” të Ligës Unike.

Periudha e katërt ishte vendimtare në fitore.

Prishtinasit krijuan epërsi prej 17 pikësh pas pjesës së parë, 50:33.

Mysafirët nga Lezha e ngushtuan epërsinë në periudhën e tretë që e fituan 16:8.

Rezultati madje u barazua 5 minuta e 50 sekonda pa përfunduar i gjithë takimi, 63:63.

Në çerekun e katërt pati edhe tensione në parket mes basketbollistëve të të dyja ekipeve, por që përfunduan shpejtë pa ndonjë incident.

Jordan Davis ishte më i dalluari te Prishtina me 19 pikë, gjashtë kërcime e pesë asistime, ndërsa Besëlidhjes nuk i ndihmuan 24 pikët e katër kërcimet e Marcellus Garrickut.

Finalja Sigal Prishtina – Vëllaznimi luhet të enjten nga ora 20:00, ndërsa ndeshja për vend të tretë mes Besëlidhjes dhe Golden Eagle Yllit luhet nga ora 17:00.

Ky është edicioni i katërt i Ligës Unike.

Ndonëse ishte prezantuar si projekt madhor, liga deri tani nuk e kishte ndikimin dhe efektin e pritur.