Lideri i Bundesligës gjermane, Bayern Munich, ka kërkuar shpjegime nga Federata e Futbollit e Kanadasë të premten, pasi mbrojtësi i krahut të majtë, Alphonso Davies, këputi ligamentin kryqëzor derisa ishte me përfaqësuese.

Për të edicioni ka mbaruar, por bavarezët kërkojnë ta dinë të vërtetën se çfarë ka ndodhur me lojtarin e rëndësishëm.

24-vjeçari u largua nga loja më herët në fitoren 2:1 të Kanadasë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Nuk është gjë e mirë për ne dhe mënyra se si ka ndodhur nuk është korrekte. Duam të dimë saktësisht se çfarë ka ndodhur”, ka deklaruar të premten në konferencën për shtyp drejtori sportiv i Bayernit, Christoph Freund.

Freund ka thënë se Davies kishte shqetësime dhe lodhje para atij dueli, por sërish është inkuadruar në lojë.

“Ai është kapiteni, djaloshi i ri që dëshiron ta ndihmojë ekipin por ka pasur një kufi. Pastaj lëndimi ka ardhur pas vetëm 12 minutash. Nuk është profesionale dhe ne duhet ta sqarojmë situatën. Ne jemi punëdhënës, paguajmë lojtarët dhe duhet të shohim se çfarë ka ndodhur”, ka theksuar Freund.

Bavarezët kanë paralajmëruar padi ndaj Federatës së Futbollit të Kanadasë për këtë rast.