Llapi e nisi ecurinë e fitoreve ndaj Gjilanit. Në xhiron e kaluar fitoi edhe ndaj Feronikelit 74, ndërsa të shtunën e regjistroi fitoren e tretë rresht. Në stadiumin “Liman Gegaj” në kuadër të xhiros së 30-të të elitës së futbollit kosovar, Llapi fitoi ndaj Malishevës me rezultatin 3:1.

Dhe me fitoren e tretë të njëpasnjëshme, Llapi ka bërë ngjitje të madhe në tabelë, duke iu shmangur shumë zonës që dërgon në Ligën e Parë, përkatësisht të kategorisë së dytë. Derisa para pak kohe luftonte për mbetje në elitë, Llapi tani është në vendin e pestë me 39 pikë, një më shumë se Prishtina e Gjilani që kanë nga një ndeshje më pak të luajtur. Dukagjini në vendin e tetë, përkatësisht të barazhit, ka 36 pikë. Prapa kanë mbetur Suhareka me 33 pikë, dhe Feronikeli 74 me 14 pikë, që në edicionin tjetër nuk do të jetë pjesë e Superligës. Para Llapit në tabelë është Ferizaj me 41 pikë e me një ndeshje më pak të luajtur, ndërsa Malisheva me 47 pikë zë vendin e tretë.

Drita lidere ka 63 pikë, dhjetë më shumë se vendi i dytë, Ballkani.

Epërsinë e dy golave, Llapi e krijoi në minutat shtesë të pjesës së parë.

Për 1:0 realizoi sulmuesi Ardit Tahiri, në minutën e katërt shtesë të pjesës së parë, pas një aksioni shumë mirë të ndërtuar. Dyshohej për pozitë jashtë loje, por goli i Tahirit u pranua pas rishikimit të situatës në VAR.

Një minutë më vonë, Llapi shënoi sërish. Valmir Veliu e dyfishoi epërsinë me asistim të Elvir Gashijanit.

Malisheva u kthye në lojë me golin e Laurent Xhylanit. Futbollisti i krahut shënoi me goditje të saktë me kokë nga zona në minutën e 52-të, pas harkimit të Altin Aliut nga këndi.Në momentet e mira të Malishevës, në skenë u shfaq Gashijani i cili e shënoi golin e qetësisë dhe të fitores 3:1, tetë minuta para fundit. Edhe goli i Gashijanit u konfirmua me VAR. Asistues ishte Tahiri.

Llapi e mbylli ndeshjen me një futbollist më pak në fushë pasi gjyqtari Dardan Çaka e përjashtoi mesfushorin Besar Musolli. Musolli i doli në mbrojtje bashkëlojtarit të tij, Gashijanit që ankohej nga një lëndim. Ssulmuesi i Malishevës, Fatjon Bunjaku, iu afrua dhe e ngriti atë me forcë në këmbë. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Musollit ndaj Bunjakut që u vlerësua i ashpër për gjyqtarin kryesor.

Gola nuk pati deri në fund dhe fitorja i takoi skuadrës së drejtuar nga trajneri Tahir Batatina.

Trajneri Batatina me Llapin më 23 prill e luajnë ndeshjen kthyese të Kupës së Kosovës ndaj Drenicës në udhëtim. Ndeshjen e parë në Podujevë, Llapi e fitoi 2:0.

Të dielën në program janë ndeshjet Suhareka – Drita dhe Prishtina – Ferizaj. Gjilani – Dukagjini dhe Feronikeli 74 – Ballkani luajnë të hënën. Edhe ndeshjet e tjera nisin në orën 15:00.