Pas reagimit të fortë të tifozëve “Shqiponjat e Zeza” që kërkuan largimin e trajnerit Bylbyl Sokoli dhe paralajmëruan bojkot të ndeshjeve, FC Drenica ka dalë me një kundërreagim zyrtar, duke mbrojtur trajnerin dhe lojtarët e ekipit.

Në deklaratën e tyre, klubi e cilëson reagimin e tifozëve si “tendencioz, dashakeq dhe aspak të rastësishëm”, duke theksuar se qëllimi i tij është të dëmtojë klubin në prag të ndeshjeve të rëndësishme.

“Kryesia, Kryetari dhe Zëvendëskryetari i klubit janë 100% pas trajnerit Bylbyl Sokoli dhe lojtarëve tanë. Për herë të parë, FC Drenica ka një kryesi të fortë, me vendime që nuk lejojnë ndërhyrje nga jashtë. Pikërisht kjo nuk i pëlqen disa personave të caktuar, të cilët mund të kenë synime të këqija,” – thuhet në reagim.

Klubi ka bërë të qartë se nuk i merr për bazë reagime që i konsideron të orkestruara dhe që “nuk përfaqësojnë vullnetin e tifozëve të vërtetë të Drenicës”.

Në fund të deklaratës, FC Drenica siguroi se do të vazhdojë rrugëtimin me unitet, përkushtim dhe besim të plotë tek stafi dhe futbollistët:

“Klubi vazhdon rrugëtimin e tij me unitet, përkushtim dhe besim të plotë në stafin dhe futbollistët tanë.”