Paraqitjet mbresëlënëse të Fisnik Asllanit në Bundesligë kanë bërë që emri i tij të përmendet çdo javë në mediat evropiane. Me gjashtë gola dhe dy asistime në vetëm nëntë ndeshje këtë sezon, sulmuesi 23-vjeçar nga Kosova po e dëshmon se është gati për hapin e madh në karrierë. Hoffenheimi, me të cilin ai ka kontratë deri në qershor 2029, e sheh vështirë të mbajë lojtarin përtej verës së ardhshme, pasi për të janë futur në garë gjigantë si Bayern Munich, Barcelona, Chelsea, Aston Villa e Tottenhami.
Asllani, i lindur në Berlin dhe i rritur në akademitë e Dynamo e Union Berlin, ka bërë rrugëtim të vazhdueshëm drejt majës. Pas një huazimi te Austria Vjena dhe shpërthimit me Elversbergun në Bundesliga 2 ku realizoi 19 gola e 10 asistime, ai po e shfrytëzon në maksimum mundësinë e dhënë nga Hoffenheimi në elitën gjermane. Performanca e tij ka bërë që vlera në treg të rritet ndjeshëm, duke arritur tashmë në 18 milionë euro, më shumë se shumica e futbollistëve kosovarë aktivë.
Në përfaqësuesen e Kosovës, Asllani është kthyer në një nga shpresat më të mëdha për të ardhmen. Ai ka shënuar dy gola për “Dardanët”, përfshirë një kundër Suedisë në fitoren historike në Göteborg. Me formën aktuale dhe interesimin e klubeve më të mëdha evropiane, Asllani mund të bëhet shumë shpejt jo vetëm lojtari më i vlerësuar i Kosovës, por edhe simboli i ri i futbollit tonë në arenën ndërkombëtare.





























