Pavarësisht ndikimit të tij në fillim të sezonit, Franco Mastantuono u la jashtë për herë të parë nga “El Clásico”. Mungesa e Endrick ishte më pak befasuese, pasi ai mbetet pa asnjë paraqitje që nga ardhja e Xabi Alonsos te Real Madridi.

Në mesin e gëzimit të Real Madridit për fitoren në “El Clásico”, disi e zbehur nga reagimi i Vinicius pas zëvendësimit, dy lojtarë të tjerë nuk arritën ta shijojnë aq sa do të kishin dashur fitoren, nga fusha e lojës.

Kjo është bërë një temë e përsëritur kohët e fundit. Në rastin e Endrick (19 vjeç), një tjetër ndeshje kaloi pa debutimin e tij nën drejtimin e Xabi Alonsos. Largimi i tij në janar duket pothuajse i sigurt nëse dëshiron të jetë pjesë e Kupës së Botës 2026 me Brazilin. Brenda skuadrës së Madridit, ai aktualisht është sulmuesi i shtatë në renditjel, ndoshta edhe i teti, pas shpërthimit të Camavingas si krah i djathtë i improvizuar.

Kundër Barcelonës, ai sërish e ndoqi ndeshjen nga stoli, ndërsa trajneri zgjodhi të aktivizojë Rodrygon, Brahimin dhe Gonzalo Garcian si zëvendësues.

Paraqitja e tij e fundit me fanellën e Madridit ishte më 18 maj, kur pësoi një dëmtim kundër Sevillas. Më pas iu nënshtrua rehabilitimit, por pësoi një rikthim të dëmtimit gjatë stërvitjeve në Kupën e Botës për Klube dhe që atëherë ka humbur nga skena.

Mastantuono, ndikim në rënie

Situata e argjentinasit është një shembull klasik i vështirësisë për t’u përshtatur mes konkurrencës së ashpër. Nuk është se nuk ka pasur mundësi. Që nga ardhja e tij, ai ka marrë pjesë në 11 ndeshje (tetë në La Liga dhe tre në Ligën e Kampionëve), duke qenë titullar në tetë prej tyre. Megjithatë, ai e ka shpërblyer atë besim vetëm me një gol dhe një penallti të fituar.

Ndikimi i tij në lojë është zbehur ndërsa roli i Brahimit dhe Rodrygos është rritur. Si pasojë, ai ka luajtur vetëm shtatë minuta kundër Juventusit dhe është lënë në stol kundër Barcelonës, në atë që mund të kishte qenë “El Clásico”-ja e tij e parë.

Në vetëm 18 vjeç dhe si i sapoardhur, Xabi me siguri do t’i japë më shumë mundësi, por ai duhet të përmirësojë ndjeshëm paraqitjet e tij nëse dëshiron të rikthehet në formacionin titullar dhe të ketë minuta të rregullta.

Ndeshja e radhës e Madridit është kundër Valencias të shtunën e ardhshme.