Lionel Messi dëshiron të luajë për Argjentinën në Kupën e Botës të vitit të ardhshëm, por thotë se do ta dëgjojë trupin e tij përpara se të vendosë nëse mund ta bëjë realitet këtë ëndërr.
Sulmuesi 38-vjeçar i Inter Miami-t në MLS udhëhoqi Argjentinën drejt titullit të Kupës së Botës 2022 dhe ëndërron të jetë sërish në fushë kur “Albiceleste” të mbrojë kurorën vitin e ardhshëm në Amerikën e Veriut.
Fituesi tetë herë i “Topit të Artë”, Messi, i tha “NBC News” në një intervistë të transmetuar të hënën se do të shohë vitin e ardhshëm se si ndihet fizikisht përpara se të vendosë nëse mund të luajë në Kupën e Botës që do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
“Është diçka e jashtëzakonshme të jesh pjesë e një Kupa Bote dhe do ta doja shumë,” tha Messi, i cili mbush 39 vjeç në qershor. “Do të doja të isha aty, të jem mirë fizikisht dhe të jem pjesë e rëndësishme e ndihmës për kombëtaren time, nëse do të jem.”
“Dhe do ta vlerësoj këtë ditë pas dite, kur të fillojë parasezoni vitin e ardhshëm me Interin, për të parë nëse mund të jem vërtet 100%, nëse mund të jem i dobishëm për grupin, për kombëtaren, dhe më pas do të marr vendimin.”
Messi, i cili ka luajtur profesionalisht që nga viti 2004, dëshiron një mundësi tjetër për të shkëlqyer në skenën më të madhe të futbollit. “Jam shumë i motivuar, sepse është një Kupë Bote. Vijmë pas fitores së Botërorit të fundit dhe të kesh mundësinë ta mbrosh sërish në fushë është diçka spektakolare, sepse gjithmonë është një ëndërr të luash me kombëtaren, sidomos në garat zyrtare.”
Messi, që debutoi me Barcelonën në La Liga në moshën 17-vjeçare, iu bashkua Paris Saint-Germain në vitin 2021 dhe u transferua në MLS në vitin 2023. “E vërteta është se më pëlqen gjithçka për jetën këtu,” tha ai për Miamin. “Kam kaluar shumë kohë në Barcelonë, që për mua është një qytet i jashtëzakonshëm, ku u rrita dhe pata shumë momente të mrekullueshme që na mungojnë shumë.
Por Miami është një qytet që na lejon të jetojmë shumë mirë, që na bën të shijojmë jetën, që na jep qetësi dhe që u lejon fëmijëve të jenë vetvetja dhe të jetojnë çdo ditë në paqe.”
Messi ka 195 paraqitje me kombëtaren e Argjentinës, duke shënuar 114 gola.





























