Phil Foden ka shënuar dy gola për ta udhëhequr Manchester Cityn drejt fitores 4:1 ndaj Borussia Dortmundit.
City – Dortmund ishte ndeshja kryesore e së mërkurës në Ligën e Kampionëve. I takoi xhiros së katërt. Foden shënoi për 1:0 në minutën e 22-të me goditje të ulët. Norvegjezi Erling Haaland vazhdoi serinë impresive, duke shënuar për 2:0 në minutën e 29-të. Haalandi nuk festoi për golin ndaj ish-skuadrës.

Me rezultatin 2:0 përfundoi pjesa e parë.
Në minutën e 57-të, Foden e shënoi golin për 3:0.

Sërish, si në golin e parë, asistues ishte Tijjani Reijnders.

Skuadra gjermane ia doli vetëm të ngushtoi rezultatin në 3:1. Waldemar Anton shënoi në minutën e 72-të.Por skuadra e Pep Guardiolas shënoi tjetër gol në minutën e parë shtesë. Realizator për 4:1 ishte Rayan Cherki.

City me fitore doli në vendin e katërt me 10 pikë. Dortmundi i ka shtatë pikë në mesin e tabelës.