Ballkani ka shënuar fitore shumë të thellë ndaj Prishtinës së Re dhe ka dalë në krye të tabelës. 

Tri herë kampioni i Kosovës fitoi 6:1 të shtunën në stadiumin e qytetit në Suharekë. 

Almir Kryeziu, Walid Hamidi dhe Valentin Serebe i shënuan nga dy gola në këtë ballafaqim. Ndeshja i takoi xhiros së 16-të të Superligës së Kosovës në futboll. 

Kryeziu shënoi supergol fillimisht në minutën e 20-të, ndërsa dhjetë minuta më vonë, Hamidi realizoi me kokë për 2:0. 

Algjeriani realizoi dy minuta më pas për 3:0. 

Kryeziu për 4:0 shënoi në minutën e 53-të. 

Ballkani nuk u ndal. Realizoi edhe një herë tjetër me Sereben për 5:0 në minutën e 72-të, ndërsa në minutën e 74-t, golin e vetëm për mysafirët e shënoi Astrit Berisha. 

Serebe, pas një veprimi të mirë individual në zonë, e vendosi rezultatin përfundimtar 6:1. 

Pas 16 ndeshjeve, Ballkani kryeson në tabelë me 29 pikë, ndërsa Prishtina e Re mbetet e fundit me 14 pikë.