Drita i ka shpëtuar disfatës në Klinë ndaj Dukagjinit të shtunën me gol të Besnik Krasniqit në minutën e katërt të kohës shtesë. 

Krasniqi në minutën e 94-t pranoi top në zonë dhe e plasoi bukur atë prapa shpinës së portierit kundërshtar. 

Dhe me golin e Krasniqit, ndeshja Dukagjini – Drita u mbyll baras, 1:1. 

I takoi xhiros së 16-të të Superligës së Kosovës në futboll dhe u zhvillua në stadiumin “13 Qershori”. 

Për Dukagjinin në minutën e 53-të shënoi Dienit Isufi. Isufi realizoi me kokë dhe nuk iu gëzua golit pasi në të kaluarën ka qenë pjesë e Dritës. 

Kur ndeshja po shkonte drejt fundit, në skenë u shfaq Krasniqi, mbrojtësi i krahut të djathtë, që e shpëtoi ekipin nga disfata.

Dukagjini ngjitet përkohësisht në pozitën e dytë me 27 pikë, një më shumë se Prishtina që aktualisht i ka dy ndeshje më pak të luajtura. 

Drita bie në pozitën e pestë me 24 pikë. Edhe Drita e ka një ndeshje më pak të luajtur.