Ousmane Dembele është fitues i çmimit “The Best”. Këtë çmim e ndan Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) për lojtarin më të mirë të vitit në futboll. Sulmuesi i Francës, Dembele, fitoi çmimin për sukseset që ka arritur me PSG-në, ku përfshihet edhe triumfi në Ligën e Kampionëve. Pos Championsit, PSG-ja e ka fituar edhe titullin e kampionit dhe Kupën e Francës.

Dembele më herët këtë vit e ka fituar edhe Topin e Artë, që mbetet çmimi kryesor individual në futboll.
Për “The Best”, Dembele fitoi në konkurrencë me Kylian Mbappen e Lamine Yamalin. Ceremonia u mbajt të martën mbrëma në Doha të Katarit.

Mbappe shkëlqeu te Real Madridi, ndërsa Yamal te Franca.

Te futbollistet, më e mira u shpall spanjollja Aitana Bonmati. Edhe Bonmati e kishte fituar Topin e Artë.
Ndonëse ishte në konkurrencë për çmimin kryesor, Kylian Mbappe nuk ka zënë vend në ekipin më të mirë të vitit, sipas FIFA-s.

Në sulm në ekipin më të mirë janë përzgjedhur Dembele e Yamal. Mesfusha përbëhet nga Jude Bellingham, Vitinha, Pedri dhe Cole Palmer. Ndërkohë Achraf Hakimi, William Pacho, Virgil van Dijk dhe Nuno Mendes janë përzgjedhur në mbrojtje. Gianluigi Donnarumma është portieri më i mirë në ekipin e vitit.

Çmimin “The Best” në mesin e trajnerëve e fitoi spanjolli i PSG-së, Luis Enrique. Ai fitoi në konkurrencë me Hansi Flickun e Barcelonës dhe Arne Slotin e Liverpoolit.

Te futbollistet, trajnerja më e mirë u shpall Sarina Wiegman, holandezja në krye të Anglisë.

Ceremonia, për dallim nga shorti për Botërorin 2026, nuk ishte e gjatë. FIFA i prezantoi gjashtë fitues ende pa nisur ceremonia. Ndër të tjera pa nisur ceremonia u shpall edhe portieri më i mirë, Gianluigi Donnarumma.

Çmimet “The Best” FIFA ka nisur t’i japë nga viti 2016. Vendosi të shpall më të mirët pasi u nda me revistën “France Football”, me të cilën e organizoi FIFA Topin e Artë nga viti 2010 deri në vitin 2015.
Fituesit e çmimeve “The Best” përcaktohen me votat e shikuesve, trajnerëve të ekipeve përfaqësuese, kapitenëve dhe gazetarëve të sportit.