Drenica ka mbetur pa fitore në elitën e futbollit kosovar edhe në këtë fundjavë.

“Kuqezinjtë” barazuan të dielën në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj me rezultatin 2:2 ndaj Dukagjinit të Klinës.

Fitorja e fundit e Drenicës në Superligë është më 13 nëntor.

Ndërkohë, Dukagjini vazhdon ecurinë pa humbje në Superligë. Të dielën e regjistroi barazimin e katërt rresht.

Fitoren e fundit në Superligë e shënoi ndaj Llapit më 30 nëntor.

Pjesa e parë përfundoi me rezultati 1:1. Mërgim Pefqeli në minutën e 30-të shënoi për Dukagjinin nga penalltia, ndërsa Kreshnik Uka i barazoi shifrat pas shtatë minutash për 1:1.

Dukagjini kaloi sërish në epërsi me golin e Hekuran Berishës, në minutën e 52-të. Genc Hamiti më pas nga korneri i barazoi shifrat për 2:2.

Dukagjini është i pesti me 33 pikë, por me një ndeshje më shumë të luajtur se Gjilani që i ka 33 pikë po ashtu.

Drenica e fundit mbetet me 22 pikë, sa i ka edhe Prishtina e Re.

Të hënën në program për t’u luajtur janë ndeshjet Malisheva – Prishtina, Ferizaj – Gjilani dhe Llapi – Ballkani.