Italia nuk arriti që ta sigurojë Kampionatin Botëror 2026 pasi humbi në finale të plejofit nga Bosnjë-Hercegovina. 

Por, shumë selektor italianë do të jenë në Botëror, me shtete të ndryshme. 

Vincenzo Montella është teknik italian dhe me Turqinë arriti që ta mposhtte Kosovën në finalen e së martës mbrëma në Prishtinë, 1:0. 

Montella ishte i suksesshëm me përfaqësuesen turke edhe në Evropianin 2024, kur arriti deri në çerekfinale. 

Fabio Cannavaro u emërua në tetor nga Uzbekistani, pasi shteti i Azisë qendrore u kualifikua në Botërorin e parë. Cannavaro ishte kapiten i Italisë në triumfin e vitit 2006. Kjo ishte hera e fundit kur “azzurrët” fituan ndeshje të fazës nokaut në Kupën e Botës. 

Carlo Ancelotti e mori drejtimin e Brazilit në muajin maj të vitit të kaluar, pak javë pasi vendi i selektorit tek Italia ishte i lirë, kur u shkarkua trajneri Luciano Spalletti. Claudio Ranieri e refuzoi ofertën dhe më pas selektor u emërua Gennaro Gattuso, tjetër lojtar kyç në triumfin e Botërorit në vitin 2006. 

Dështimi i fundit i Italisë do të thotë se ky shtet nuk ka shkuar në Botëror qëkur Gianni Infantino u bë president i FIFA-s në vitin 2016. Infantino u lind në Zvicër. Prindërit e tij janë italianë.