Vedat Muriqi ka kthyer shkëlqimin në La Liga.

Ylli i Kosovës të shtunën shënoi gol me goditje të fortë nga zona për fitoren 2:1 të Mallorcas ndaj Real Madridit.

Muriqi shënoi golin vendimtar në minutën e 91-të të ndeshjes së xhiros së 30-të. Pas një topi që i erdhi në zonë, 31-vjeçari goditi fuqishëm për fitoren shumë të madhe të Mallorcas. Ai festoi me pasion golin që mund të jetë i shpëtimit për Mallorcan.

Goli 

Muriqi i ka plot 19 gola në 29 paraqitje kampionale këtë edicion. Dhe me golat e tij Mallorca po shpreson shumë që të mbetet në elitën spanjolle.

Goli i Muriqit erdhi tre minuta pasi Real Madridi barazoi në 1:1. Eder Militao shënoi në minutën e 88-të. Manu Morlandes e realizoi golin e parë për Mallorcan në minutën e 41-të.

Muriqi ka luftuar gjatë gjithë ndeshjes, por kryesisht u mbajt i heshtur nga mbrojtja madrilene. Dhe shpërtheu kur ishte momenti i duhur. Pas një aksioni që nuk premtonte shumë, pranoi bukur topin në zonë dhe goditi saktë. Shënoi tjetër gol për të vazhduar ecurinë fantastike në kampionatin spanjoll. Gjatë festës së golit, sulmuesi i fuqishëm shpërtheu në lot.

Me fitore Mallorca doli në vendin e 17-të me 31 pikë. Kjo pozitë siguron mbetjen në La Liga.

Ndërkohë Muriqi i ka dhënë goditje shumë të rëndë Real Madridit në garën për titull të kampionit. Madridi është i dyti me 69 pikë. Ndaj klubit mbretëror, kosovari ka shënuar golin e katërt në karrierë.

Goli erdhi në moment shumë të rëndësishëm për Muriqin. Pas disfatës së Kosovës ndaj Turqisë ai reagoi me një koment ndaj një fyerje që i ishte bërë. Reagimi i yllit “dardan” bëri që akuza ndaj tij të bëjë bujë. Në përkrahje të Muriqit doli FFK-ja, ndërsa ai mori mbështetje e falënderime nga palë të shumta.

Të shtunën, kosovari dëshmoi sërish se i takon kalibrit më të lartë të sulmuesve evropianë. Janë pak sulmues që kanë më shumë gola se Muriqi në top-ligat evropiane.

Momenti kur Muriqi shpërthen në lot teksa bashkëlojtari i tij, Mojica dëgjohet të thotë ‘Për Kosovën, për Kosovën’