Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, pritet të luajë për Napolin sërish në vikendin e ardhshëm ndaj Lazios. 

Kështu ka bërë të ditur të shtunën mediumi italian “Corriere dello Sport”. 

Rrahmani, dy herë kampion i Serie A me Napolin, u lëndua më 15 shkurt në barazimin 2:2 me Romën. 

“Lojtari i parë me shanse reale për t’u kthyer është Rrahmani. Ai u largua nga fusha në ndeshjen ndaj Romës për shkak të problemeve muskulore në pjesën e dytë dhe mund të kthehet ndaj Lazios të shtunën e ardhshme në ‘Maradona’. Nuk është e sigurt, por gjendja e liderit të mbrojtjes do të vlerësohet në ditët e ardhshme, pas udhëtimit te Parma”, ka shkruar mediumi i njohur italian. 

Rrahmani në këtë sezon është lënduar tri herë. 

Lëndimin e parë e pësoi më 6 shtator kur luante për Kosovën ndaj Zvicrës. 

Ai mungoi 52 ditë. Lëndimi i dytë erdhi më 18 janar, dhe ishte muskulor po ashtu. Në lëndimin e dytë, Rrahmani mungoi në katër ndeshje. 

Nga mesi i muajit shkurt, për shkak të telasheve muskulore, është duke munguar për herën e tretë.