Ylli i Kosovës, Milot Rashica do të largohet nga Werder Bremen gjatë kësaj vere.

Kështu të paktën ka deklaruar menaxheri i tij, Altin Lala, duke thënë se ka interesim të madh nga klubet evropiane për djaloshin nga Vushtrria.

Në një intervistë për “Sportin në KTV”, Lala ka thënë se Miloti dëshiron të luajë në Ligën e Kampionëve në sezonin tjetër dhe pikërisht klubet e interesuara luajnë në garën më të madhe evropiane.

Ish-lojtari i Kombëtares Shqiptare ka folur edhe për talentet e shumtë që ka në Kosovë, dhe për temën një apo dy kombëtare.

Në këtë intervistë që transmetohet të mërkurën në mbrëmje, Lala ka folur edhe për De Biasin që nuk e ftoi Rashicën në Evropian dhe polemikat që kishte me italianin, si dhe disa tema të tjera.