Ndeshjen kthyese e gjysmëfinales së Kupës së Kosovës në futboll e zhvilluar të mërkurën në Ferizaj, ndërmjet Ferizajt dhe Llapit, nuk dha gola e as fitues.
Por kalimin në finale të Kupës e siguroi Ferizaj pas fitores 2:1 në Podujevë dy javë më parë.
Ndeshja ishte e tensionuar në fushë, ndërsa pati edhe ndërprerje. Ndeshja u ndërpre në minutën e 55-të pas hedhjes së gjësendeve në fushë.
Ka pasur gjuajtje të gjësendeve në fushë nga shikuesit në Ferizaj. Nga gjuajtjet e shikuesve është goditur, mbrojtësi i Llapit, Ilir Blakçori.
Ndeshja rifilloi vetëm pas largimit të tërësishëm të shikuesve nga tribunat. Megjithatë, rreth një mijë shikues të pranishëm e përcollën ndeshjen jashtë rrethojave të stadiumit të qytetit të Ferizajt.
Pati edhe duele të forta ndërmjet lojtarëve të të dyja ekipeve.
Ferizaj u drejtua nga Arsim Abazi i rikthyer pas shkarkimit të Nevil Dedes për mungesë të rezultateve.
Për Ferizajt është finalja e tretë. Në dy edicione rresht kishte humbur në finale. Humbi nga Trepça ’89 në edicionin 2011/2012, kurse në 2012/2013 nga Prishtina.
Llapi e ka fituar dy herë Kupën e Kosovës, në edicionet 2020/2021 dhe 2021/2022.
Ferizaj e Llapi janë në betejë direkte edhe për mbetje në Superligë. I kanë nga 33 pikë në pozitat tetë e nëntë. Pozita e tetë dërgon në plejaut, kurse e nënta në kategorinë e dytë.


























